Nxënësit e bashkësive të ndryshme etnike vazhdojnë të shoqërohen dhe të marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta në kuadër të projektit “Përforcimi i bashkëpunimit ndëretnik në komuna”, i mbështetur nga Fondacioni për Fëmijë Pestaloci. Këto aktivitete zbatohen në kuadër të seksioneve shkollore në të cilat bëjnë pjesë nxënës të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore.
Përmes aktiviteteve të shumta, nxënësit mësojnë gjëra të reja, duke bashkëpunuar së bashku në tema që janë me interes për ta. Nga fillimi i vitit shkollor, ata kanë zbatuar nisma interesante.
Në kuadër të seksionit të gjeografisë në shkollën fillore “Gjorgji Sugarev” nga Manastiri, të rinjtë kanë diskutuar për problemet ekologjike me të cilat ballafaqohet qyteti i tyre. Ata i prezantuan problemet dhe propozuan zgjidhje të mundshme para përfaqësuesit të NP “Komunalec”. Një pjesë e propozimeve të tyre ishin pyllëzimi i kodrës Bair, krijimi i parkut në Bair, mbjellja e gjelbërimit në oborrin e shkollës, pastrimi i lumit, vendosja e kontejnerëve dhe shportave për mbeturina nëpër rrugë. Të rinjtë propozuan edhe vendosjen e masave për ajër më të pastër si dhe shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë në shkolla, institucione dhe shtëpi. Me nismat e përbashkëta ekologjike ngrihet vetëdija për nevojën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme për problemet më të mëdha në rrethinë.
Filloristët e shkollës “Zhivko Brajkovski” nga Buteli realizuan aktivitete interesante në kuadër të seksionit për ushqim të shëndetshëm dhe gjenerata të shëndetshme. Ata zbatuan hulumtim për ushqim të shëndetshëm dhe pas hulumtimit të përfunduar i prezantuan njohuritë e tyre. Përpunuan edhe fletushka me mesazhe dhe dekorime, kurora dhe dhurata nga makarona të papërpunuar.
“Fëmijët janë të asaj moshe të cilëve u nevojitet edukim i drejtë me pjesëmarrje në seksione të këtij karakteri”, thotë Silvana Urxhanis, mësuese në SHF “Zhivko Brajkovski”.
Aktivitetet të cilat realizohen në kuadër të seksioneve i stimulojnë të rinjtë të ndërmarrin edhe nisma interesante në shkollat dhe bashkësitë e tyre.
“Vërehen ndryshime pozitive tek nxënësit. Për shembull, aktivitetet e tilla i nxitën nxënësit me vetëiniciativë të marrin pjesë në rregullimin e këndit ekologjik në shkollë”, vlerëson kolegia e saj Nazmie Bela.
Gjatë vitit shkollor, nxënësit e 27 shkollave fillore të përfshirë në projektin “Përforcimi i bashkëpunimit ndëretnik në komuna” do t’i zbatojnë edhe shumë aktivitete për mënyrën e shëndetshme të të ushqyerit, ngritjen e vetëdijes ekologjike, në sport, hulumtim, shkencë, matematikë dhe aktivitete të tjera interesante. Këto nisma të nxënësve i përafrojnë të rinjtë e bashkësive të ndryshme etnike dhe u japin mundësi të argëtohen së bashku dhe të mësojnë në frymën e integrimit ndëretnik.
Ky aktivitet është pjesë e projektit për Përforcimin e bashkëpunimit multietnik në komuna, i mbështetur nga Fondacioni për Fëmijë Pestalloci (FFP).