Më 11 shtator, 2018, në Shkup, u mbajt tryezë e rrumbullakët me temë: “Roli dhe ndikimi i mediave në promovimin e integrimit ndëretnik dhe vlerat demokratike tek të rinjtë”, në të cilën morën pjesë tridhjetë gazetarë, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare donatore. Qëllimi i tryezës së rrumbullakët ishte të diskutohen mënyrat potenciale për përforcimin e rolit të mediave në procesin e promovimit të integrimit ndëretnik në shkolla si edhe zhvillimi i vlerave qytetare dhe demokratike tek të rinjtë.
Në fillim të ngjarjes, Drejtori i Zyrës për zhvillim i USAID-it në Maqedoni, Eduard Gonzales iu drejtua të pranishmëve. “Mediat e formojnë opinionin publik. Mediat kanë fuqi të ndikojnë në perspektivën tonë për realitetin dhe vendimet të cilat i bëjmë. Mu për atë është e rëndësishme mediat jo vetëm të informojnë për tregimet negative, por edhe t’i potencojnë shumë prej ngjarjeve pozitive në jetën e të rinjve në mbarë vendin”, deklaroi ai.
Në fjalimin e saj, Naziktere Sulejmani, këshilltare shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe kryetare e grupit të punës për arsim të integruar në MASH, foli për rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve dhe sektorit civil në drejtim të përmirësimit të kohezionit ndëretnik në shkolla.
Ana Mickovska Raleva, koordinatore për monitorimin dhe vlerësimin e projektit, prezentoi pikëpamje të ndryshme të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve të cilët ishin të përfshirë në vitin e parë të implementimit të projektit.
Sipas hulumtimit të projektit, nxënësit në numër të madh kanë përvojë pozitive nga pjesëmarrja e aktiviteteve të përbashkëta të nxënësve me nxënës të cilët mësojnë në një gjuhë tjetër mësimore. “Mund të shohim dallim kur kemi aktivitete të tilla, disi jemi më afër, shoqërohemi më shumë”, thotë njëri prej nxënësve. Megjithatë, një pjesë e nxënësve e pranojnë se prindërit dhe mësimdhënësit i dekurajojnë, me qëllim që të shmangin “konflikte” potenciale midis të rinjve prej bashkësive të ndryshme etnike.
Kur bëhet fjalë për kulturën demokratike në shkolla, hulumtimi tregon se pothuajse gjysma e nxënësve vlerësojnë se mund të kenë probleme në shkollë nëse haptazi nuk e shprehin mendimin e tyre.
Pas fjalimeve të panelistëve, Nebojsha Mojsoski, drejtues i projektit potencoi se përforcimi i integrimit ndëretnik dhe vlerave demokratike tek të rinjtë janë procese të gjata dhe komplekse, për suksesin e së cilave është e rëndësishme edhe mbështetja e mediave, me ç’rast filloi diskutim i hapur midis të pranishmëve.
Një pjesë e konstatimeve prej diskutimit janë se temat arsimore duhet gjithnjë e më shumë të përfaqësohen në media edhe për nga sasia edhe për nga cilësia. Për çështjet të cilat lidhen me integrimin ndëretnik, gazetarët duhet të raportojnë në mënyrë objektive dhe josensacionaliste edhe atë në konotacion pozitiv, në vend se vetëm për “konflikte”.
Gjithashtu, mediat duhet të gjejnë mënyra inovative se si të qasen deri tek të rinjtë dhe t’u ofrojnë përmbajtje për të rinjtë, gjegjësisht për çështje me interes për ta. Përfundimisht, u potencua rëndësia e transparencës së implementuesit të projektit për ruajtjen e bashkëpunimit dhe komunikimit me gazetarët.
Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim (INRA), i financuar nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).
Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.