2023-05-31
Home Lajme Të rinjtë nga Buteli në takim me kryetarin e Qytetit të Shkupit

Të rinjtë nga Buteli në takim me kryetarin e Qytetit të Shkupit

1324
Riparimi i stolave dhe vendosja e koshave për mbeturina, pasurimi i rekuizitave në parkun e qytetit dhe vendosja e tabela informuese janë vetëm një pjesë e propozimeve të të rinjve të shkollave fillore të Komunës së Butelit për zbukurimin e Parkut të Qytetit në Shkup. Me qëllim që t’ua bartin idetë dhe nismat e tyre institucioneve përgjegjëse, të rinjtë u takuan me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në fillim të muajit shkurt, 2019 dhe i dorëzuan letër me rekomandime konkrete.

Të rinjtë e Butelit vlerësojnë se nevojiten intervenime në Parkun e Qytetit me qëllim që të jetë më atraktiv, më i këndshëm dhe më i sigurt për vizitorët të cilët kohën e tyre të lirë për argëtim dhe rekreim e kalojnë në parkun e qytetit.

“Vlerësojmë se në park ka një hapësirë të pashfrytëzuar që mund të përdoret për të ndërtuar kënde të reja të lodrave, me çka do të rritej numri i vendeve atraktive për rekreimin e vizitorëve. Përveç kësaj, duhet të riparohen këndet ekzistuese të lodrave si edhe të shtohen gjëra të reja në to të cilat do të jenë më aktuale dhe më atraktive, sidomos për fëmijët dhe vizitorët e rinj. Ne mendojmë se në vend të rërës duhet të ketë një sipërfaqe të butë tokësore në këndin e lodrave, pasi ata në këtë mënyrë nuk do të thithin pluhurin dhe do të kenë më pak gjasa të lëndohen”, qëndron në letrën e të rinjve.


Nxënësit i diskutojnë idetë me kryetarin e Qytetit të Shkupit

Të rinjtë potencojnë se është e domosdoshme të riparohen stolat në park, ndërsa propozojnë edhe të zbukurohen.

“Stolat e rëndomtë mund t’i zbukurojmë me vizatime interesante ose të ngjyrosen në ngjyra të ndryshme, me ç’rast do të ishin më atraktive për vizitorët. Në vend të stolave të drurit të vihen stola të ndonjë materiali tjetër me ç’rast do të ishte më e vështirë për t’u shkatërruar, demoluar apo thyer. Rekomandojmë të vendosen edhe stola për fëmijë të vegjël, të cilët do të kishin formë interesante për fëmijët të cilët i shfrytëzojnë këndet e lodrave përreth që të kënaqen gjatë pushimit në to”, shtojnë nxënësit.

Një prej mangësive të cilën e theksojnë është edhe kujdesi i pamjaftueshëm për higjienën e parkut. Mu për këtë propozuan të organizohet aksion për pastrimin e kanaleve dhe liqeve në park dhe potencuan se me entuziazëm të madh do të përfshiheshin në aksione vullnetare për zbukurimin e parkut.

“Na shqetëson që nuk ka kosha të mjaftueshëm për mbeturina, ndërsa kjo kontribuon që njerëzit  pa dashje t’i hedhin mbeturinat me çka e ndotin mjedisin jetësor. Përveç kësaj, mungojnë edhe kosha për përzgjedhjen e mbeturinave, me ç’rast më pas Qyteti i Shkupit mund t’i riciklojë mbeturinat e përzgjedhura. Gjithashtu mungojnë kosha për mbeturina prej kanakarëve, të cilët së bashku me pronarët e tyre e vizitojnë parkun çdo ditë. Nevoja e këtyre koshave është me qëllim që të selektohen mbeturinat e krijuara nga kanakarët në kosha të posaçëm”, shtojnë të rinjtë.

Kryetari i Qytetit të Shkupit e theksoi angazhimin e komunës për përmirësimin e kushteve në Parkun e Qytetit dhe shtoi se komuna do ta mbështesë nismën e të rinjve për zbukurimin e parkut në periudhën e ardhshme. Gjithashtu, ai e potencoi edhe përkushtimin e komunës për të siguruar mbështetje për përmirësimin e kohezionit ndëretnik dhe për promovimin e kulturës qytetare dhe sjelljes demokratike të të rinjve, në partneritet me Projektin e USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim.


Petre Shilegov, kryetari i Qytetit të Shkupit ofron zgjidhjet potenciale për problemet e identifikuara

Ndryshe takimi i të rinjve me kryetarin e Qytetit të Shkupit është rezultat i një procesi më të gjatë në të cilin janë përfshirë nxënësit, si pjesë e aktiviteteve të Projektit të USAID-it për integrimin ndëretnik të të rinjve në arsim, të organizuara në bashkëpunim me Forumin Rinor të të Rinjve. Në fillim të shtatorit, 2018, mbi 100 nxënës të bashkësive të ndryshme etnike së bashku e shënuan Ditën Ndërkombëtare të Paqes në Parkun e Qytetit në Shkup, me ç’rast u identifikuan mangësitë në park. Më pas nxënësit dhanë edhe propozime konkrete për zgjidhjen e mangësive, gjatë punëtorisë për të menduarit kritik, të folurit me argumente dhe nisma të nxënësve organizuar në tetor, 2018.


Kryetari i Qytetit të Shkupit, kryetari i komunës së Butelit dhe të rinjtë në shëtitje të përbashkët në Parkun e Qytetit të Shkupit

Vitin e kaluar, të rinjtë nga Buteli organizuan nismë të ngjashme edhe në komunën e tyre, kur i ndanë propozimet e tyre për përmirësimin e bashkësisë me kryetarin e Komunës së Butelit, Velimir Smilevski. Si rezultat i kësaj nisme, nxënësit e SHF “Zhivko Brajkovski” u bënë me vendkalimin të ri për këmbësorë para shkollës së tyre.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, i financuar nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).

Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.