Situata e re që u krijua nga kriza me virusin KOVID-19 e imponoi nevojën e anulimit të fillimit të vitit shkollor dhe zbatimin e procesit arsimor duke filluar nga 1 tetori. Ministria e Arsimit dhe Shkencës i publikoi Protokollet për procesin arsimor për këtë vit shkollor 2020/2021 sipas të cilave nxënësit e klasës së parë deri në klasën e tretë e ndjekin mësimin me prani fizike në klasë. Në shkollat të cilat i plotësojnë kushtet e nevojshme sipas Protokolleve, mësimi mbahet me prani fizike edhe për nxënësit e klasave më të larta. Për nxënësit me sëmundje kronike, mësimi zhvillohet në distancë (onlajn). Për nxënësit të cilët nuk kanë pajisje për mësim onlajn, ndërsa megjithatë duhet të mësojnë në distancë, me sukses transmetohen TV orë 15 minutëshe përmes Radio Televizionit Kombëtar.
Në takimet të cilat u mbajtën me ekipet e pesë shkollave që janë pjesë e projektit, ata i ndanë preferencat e tyre për prani në sesionet për trajnimin e mësimdhënësve të cilat janë planifikuar për në nëntor/dhjetor në pajtim me protokollet zyrtare për pandeminë të përcaktuara nga Qeveria. Për momentin, ekipet e shkollave për projektin i formojnë grupet e fokusit të nxënësve të cilat fillojnë nga 9-të tetori ndërsa do të finalizohen më 20-të tetor.
Një ndër takimet shumë motivuese që u mbajtën me ekipet e shkollave për projektin ishte më 25 shtator në oborrin e SHF “Kuzman Josifovski Pitu” në Shkup. Në takim morën pjesë përfaqësues të ekipit të projektit, mësimdhënësit dhe drejtori. Qëllimi i këtyre takimeve ishte ekipet e shkollave për projektin të njoftohen me aktivitetet që planifikohet të zbatohen me mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit.
Mësuesit treguan interes të madh, veçanërisht në pjesën që i përket aktiviteteve me nxënësit. Sipas tyre, nxënësit në këtë shkollë janë të përfshirë në mënyrë aktive në aktivitete të ndryshme dhe ndjehen të lirë të shprehin mendimet e tyre për tema dhe çështje të ndryshme. Ata dëshirojnë të jenë pjesë e procesit për sjelljen e vendimeve dhe kanë dëshirë të madhe të debatojnë dhe të marrin pjesë në aktivitetet e bashkësisë shkollore me çka do ta motivojnë të gjithë bashkësinë shkollore të marrë pjesë aktive në aktivitete të ndryshme të projektit.
Ata diskutuan edhe për punën e komuniteteve të klasave, në të cilat shpesh bëhen sondazhe të ndryshme për të mbledhur mendime për çështje individuale nga nxënësit. Për më tepër, në kuadër të mësimit, mësuesit i motivojnë nxënësit të marrin pjesë në vendimmarrje dhe në zgjidhjen e problemeve aktuale të shkollës.
Aktivitetet e projektit që planifikohen me nxënësit dhe prindërit në këtë shkollë do të kontribuojnë në zbatimin e një prej qëllimeve kryesore të projektit “Filloje ndryshimin”, i cili është dëgjimi i zërit të të rinjve në vendimmarrje në shkolla dhe bashkësi lokale.