„Si të mendohet në mënyrë kreative dhe të përpilohen zgjidhje krijuese të sfidave…?” – për këtë mësonin dhe diskutonin nxënësit të cilët janë pjesë e Qendrës virtuale për fuzion të ideve në trajnimin onlajn për të menduarit kreativ, që u mbajt në fund të muajit shkurt. Përmes ushtrimeve dhe aktiviteteve bashkëvepruese ata i avancuan dituritë e tyre dhe i zgjeruan pikëpamjet e tyre për inicimin dhe zbatimin e ideve për ndryshime pozitive në bashkësinë.

Gjatë trajnimit, ligjëruesit Vlladimir Karaev dhe Lupka Ristovska u treguan nxënësve se çfarë do të thotë të menduarit kreativ dhe pse është ai aq i rëndësishëm. Ata theksuan se është kyçe të mendohet jashtë kutisë dhe përmes shembujve u treguan nxënësve se çfarë rezultatesh pozitive arrihen me kreativitet.
Të nxitur nga kjo, nxënësit në grupe zgjidhnin së bashku gjëegjëza dhe propozonin zgjidhje inovative të problemeve që u janë parashtruar. Në këtë mënyrë, mësuan t’i shikojnë gjërat më gjerësisht dhe të tentojnë të përpilojnë më shumë ide për përmirësimin e shkollave të tyre dhe bashkësisë më të gjerë. Diskutuan edhe për atë se duhet të jenë proaktivë dhe t’i ndajnë të gjitha idetë e tyre.

„Mos hiqni dorë dhe mos u ndalni në idenë e parë. Mendoni se ndoshta ekziston më shumë se një zgjidhje kur përballeni me ndonjë sfidë. Secila ide vlen dhe ideja juaj duhet të jetë e dëgjuar. Mos e ruani për veten”, porositi Lupka Ristovska.
Vlladimir Karaev shtoi, “Mos kini frikë ta tregoni kreativitetin në çdo kohë dhe besoni në propozimet tuaja. Mos keni frikë se do të gaboni dhe mos mendoni si të gjithë”.
Trajnime dhe aktivitete të këtilla onlajn për zhvillimin e shkathtësive të nxënësve dhe forcimin e kapaciteteve të tyre janë planifikuar gjatë gjithë vitit. Përmes tyre, nxënësit do të bashkëpunojnë së bashku dhe do të marrin pjesë në zhvillimin dhe zbatimin e ideve unike dhe kreative në distancë.
Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, i mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).
Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID) apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.