„A jetojmë në planetin tonë sikur kemi ndonjë tjetër në të cilin do të mund të shkonim?” – kjo ishte tema kryesore e panel diskutimit onlajn të organizuar me rastin e Ditës së planetit Tokë në kuadër të Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik e të rinjve në Arsim. Më shumë se 60 mysafirë, në mesin e të cilëve ishin nxënës që janë pjesë e Qendrës për fuzion të ideve dhe bashkënxënës të tyre, e ndoqën me kujdes diskutimin e realizuar përmes platformës Zoom.

Fillimisht, tri nxënëse nga Qendra për fuzion të ideve, Isra Osmani, Lubina Bozhinovska dhe Mevla Volina, bënë prezantim të shkurtër për rëndësinë e 22 Prillit – Ditës së planetit Tokë. Ata i ndanë edhe mënyrat në të cilat të gjithë ne mund ta shënojmë këtë ditë madje edhe në kushte të pandemisë.
Më pas, eko-aktivistë dhe ekologjistë të dalluar, Irina Janevska, Arijanit Xhaferi, Ollga Rajçiq, Gorjan Jovanovski dhe Xhef Kejxh, të cilët ishin në rolin e panelistëve i ndanë përvojat e tyre me të ftuarit. Ata bisedonin në tema që kanë të bëjnë me aktivitete që ndërmerren për ruajtjen e planetit, ide frymëzuese dhe kreative për mbrojtjen e mjedisit jetësor, por edhe sfida të tanishme dhe të ardhshme. Në mënyrë që të dëgjohet zëri i të rinjve, dy nxënës-anëtarë të Qendrës për fuzion të ideve, Blendi Taraneshi dhe Lina Hristovska, kishin mundësinë të bisedojnë për nivelin e vetëdijes së nxënësve dhe qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe për eko-iniciativa të nxënësve, pjesë e të cilave kanë qenë ata.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit diskutuan me panelistët dhe shkëmbyen mendime për tema aktuale që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Në ngjarjen u drejtua edhe përfaqësuesi i Zyrës së USAID-it në Maqedoninë e Veriut, Erik Janovski. Ai ua uroi Ditën e planetit Tokë të gjithë të ftuarve dhe i nxiti që të vazhdojnë të kujdesen për mjedisin në mënyrë aktive. ,,Personalisht e çmoj fokusimin tuaj në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe ju inkurajoj të vazhdoni të ndani kohën dhe talentin tuaj meqë nuk ka detyrë më të rëndësishme sesa të bëni një ndikim afatgjatë dhe të rëndësishëm mbi resurset tona të përbashkëta natyrore. Të gjithë jemi përgjegjës për kontributin dhe secili prej nesh mund të bëjë ndryshim, pa marrë parasysh sa do të jetë i vogël, në mënyrë që ta ruajmë dhe mbrojmë planetin tonë”.
Me motivim dhe emocion të madh nxënësit flisnin për fuqinë e mediave sociale në luftën kundër ndotjes së mjedisit dhe shkëmbenin praktika të mira ndërkombëtare. Kjo ngjarje mundësoi rritjen dhe zgjerimin e diturive e të gjithë të ftuarve, por para së gjithash të nxënësve – të cilët pritet të vazhdojnë të kontribuojnë me përkushtim drejt mjedisit më të mirë dhe më të pastër.
Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, i mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).
Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID) apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.