Nga mesi i janarit 2020, në kuadër të programit Access për mikrobursim për rritjen e qasjes në gjuhën angleze, një grup i nxënësve të shkollave të mesme nga Kumanova, të cilët për të vitin dytë me radhë janë përfshirë në këtë program, morën pjesë në kampin edukativ dimëror në Strumicë.
Nxënësit e zhvilluan kreativitetin e tyre përmes aktiviteteve interesante interaktive. Ata përpunuan stoli, vizatuan në qelq për tema të kulturës amerikane, bënë mozaik dhe shkruan ese në gjuhën angleze.
Nën drejtimin e prof. Patrisha Dejvidson, vullnetare në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, të rinjtë bënë posterë të bazuar në fjalimin e njohur të Martin Luter King “I have a dream”, ndërsa më pas patën edhe ekspozitë për të njëjtat. Nxënësit e shkollave të mesme i përforcuan aftësitë e tyre për të folurit publik dhe të argumentuar përmes garave ku i përgatitën fjalimet e tyre dhe të njëjtat i prezantuan.
„Kjo për mua ishte një përvojë e bukur. Ia kaluam shkëlqyeshëm dhe shumë jemi argëtuar të gjithë së bashku. Kam fituar aftësi të reja për të folurit publik dhe e shkrova fjalimin tim të parë, ndërsa paraprakisht mendoja se nuk mund ta bëja këtë. Me padurim e pres kampin e radhës“, thotë njëri prej pjesëmarrësve.
Në frymën e punës ekipore dhe argëtimit, ata realizuan shëtitje në Strumicë dhe e vizituan stadiumin e qytetit “Istatov”. Mbrëmjet ishin të rezervuara për aktivitete muzikore dhe vallëzuese, si dhe për shoqërim midis tyre. Nxënësit dhe mësimdhënësit e tyre krijuan shumë kujtime prej kampit dimëror i cili kontribuoi për afrim më të madh midis tyre.
Ndryshe, nxënësit e shkollave të mesme të cilët janë pjesë e programit Access rregullisht marrin pjesë në orë joformale për gjuhë angleze, të cilat mbahen disa herë në muaj. Gjatë këtyre orëve ata marrin pjesë në aktivitete të shumta për përforcimin e punës ekipore dhe i rrisin njohuritë e tyre për gjuhën angleze që mund t’u mundësojë vende më të mira pune, mundësi arsimimi dhe fitimin e mundësisë për pjesëmarrje dhe konkurrim për këmbime të ardhshme dhe për edukim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky aktivitet është pjesë e Programit Access për mikrobursim për rritjen e qasjes në gjuhën angleze, i mbështetur nga Ambasadës së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.