Në frymën e kohezionit ndëretnik dhe pjesëmarrje rinore u mbyll Projekti i USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim

165
Më 21 shtator të vitit 2022, u mbajt ngjarja për mbylljen zyrtare të Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, të implementuar në bashkëpunim me Forumin Rinor Arsimor (FRA). Përmes diskutimit rinor dhe programit argëtues, u kremtuan arritjet dhe sukseset në kuadër të Projektit, duke vënë theks të veçantë në dëgjimin e zërit të të rinjve dhe mbështetje të ideve dhe iniciativave të tyre për ndryshime pozitive. Në mesin e të pranishmëve ishin nxënës, mësimdhënës dhe përfaqësues të shkollave, komunave, institucioneve relevante dhe organizatave ndërkombëtare.

Në ngjarjen u drejtuan Lulzim Aliu, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës dhe Erik Mejer, zëvendës shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Shkup, të cilët e theksuan rëndësinë e avancimit të inkluzionit social, harmonisë ndëretnike dhe vlerave qytetare, si dhe nevojën për përkushtim të vazhdueshëm ndaj përfshirjes së të rinjve në proceset e vendimmarrjes.

„Përshëndes partneritetin e Projektit me institucionet kyçe arsimore në shtetin tonë përmes të cilit nxënësit ishin të përfshirë në aktivitete të shumta shkollore dhe jashtëshkollore. Si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të stimuluar aktivizmin rinor, të nxisim pjesëmarrjen e tyre në bashkësinë dhe të mbështesim qëndrueshmërinë e tyre”, tha Lulzim Aliu, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Erik Mejer, zëvendës shef i Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Shkup shtoi, „Të rinjve që jemi këtu sot, ju porosis të jeni liderë proaktivë në shkollat, bashkësitë tuaja, në shtetin tuaj dhe si qytetarë globalë. Kërkoni mundësi dhe nxisni të tjerët t’ju bashkëngjiten. Të rinjtë janë e tashmja jonë dhe ardhmëria jonë. Gjithsesi, Qeveria amerikane do të vazhdojë t’ju mbështesë dhe të investojë në të rinjtë në Maqedoninë e Veriut“.

Gjatë ngjarjes, arritjet kyçe janë prezantuar nga aspekti i të rinjve. Nxënëset Salija dhe Anastasija së bashku me bashkënxënësin e tyre Valton ndanë përshtypjet nga pjesëmarrja në aktivitetet e projektit dhe e theksuan rëndësinë e të njëjtave për zhvillimin e tyre personal, por edhe për përparimin e bashkësisë. E ftuar në diskutimin ishte edhe Teodora, përfaqësuese e Forumit Arsimor Rinor, ndërsa moderator ishte udhëheqësi i Projektit të USAID-it për integrim ndëretnik e të rinjve në arsim, Nebojsha Mojsoski, drejtor programor i QMEQ-së, i cili u përqendrua në rolin kyç e të rinjve në proceset për ndryshime pozitive, si dhe në leksionet dhe rekomandimet e mësuara nga Projekti.

Atmosfera është pasuruar edhe me interpretimin muzikor të nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike dhe organizatave në mesin e të cilave edhe anëtarë të organizatës Roma Rok Skull dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq. Ata interpretuan këngë që e kishin shkruar dhe kompozuar së bashku gjatë kampit që ishte organizuar gjatë verës.

Në periudhën e kaluar prej pesë vite e gjysmë, Projekti punonte me institucionet arsimore në vend, si dhe të gjitha shkollat fillore dhe të mesme dhe komunat në shtet për forcimin e kohezionit ndëretnik në shkollat, sjelljes qytetare të nxënësve dhe pjesëmarrjes rinore, duke përfshirë mbi 400.000 nxënës, mësimdhënës, personel shkollor dhe prindër. Përmes më shumë se 5.000 aktiviteteve në nivel të shkollave dhe bashkësive lokale krijoheshin mundësi për bashkëveprim mes nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike dhe nxitet kreativiteti i tyre dhe pjesëmarrja rinore.

Me mbështetjen e Projektit, u vendosën programe të reja, bashkëkohore mësimore për arsim qytetar në klasat më të larta në shkollat fillore dhe në të gjitha shkollat e mesme profesionale dhe nga kjo përfitojnë mbi 81.000 nxënës. Po ashtu, u rinovuan 60 shkolla, respektivisht 133.013 m² me çka kushtet për nxënie dhe mësim janë përmirësuar në masë të konsiderueshme për më shumë se 42.000 nxënës dhe mësimdhënës.

Historia vazhdon…

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, i mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).

Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID) apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.