Mundësohet inkluzion i fëmijëve të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në mësimin, e të cilët janë të moshës së tejkaluar

543
Koncepcioni për arsim inkluziv, i cili jep udhëzime se si të zbatohet në praktikë arsimi inkluziv në sistemin tonë shoqëror është miratuar në korrik të këtij viti nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Koncepcioni përmban përfshirjen, zhvillimin dhe arsimin e grupeve të ndryshme të nxënësve me nevoja të posaçme arsimore, në mesin e të cilave edhe fëmijët/nxënësit që nuk kanë qenë të përfshirë në mësimin, e janë me moshë të tejkaluar. Projekti “Inkluzion i fëmijëve të cilët janë jashtë shkollave në sistemin arsimor”, i implementuar nga QMEQ-ja në partneritet me MASH-in, e me mbështetje nga Fondacioni për fëmijë Pestaloci nga Zvicra, siguroi mbështetje në procesin e përpilimit të pjesës së Koncepcionit që ka të bëjë me inkluzionin e fëmijëve të moshës së tejkaluar. Për fëmijët të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në mësimin, e janë me kufi të tejkaluar të moshës, me ligjin e ri për arsim fillor të vitit 2019, është parashikuar të përpilohen programe mësimore me të cilat do të mundësohet përfshirje e tyre në klasën përkatëse të arsimit fillor. Projekti, gjithashtu, e mbështetë përpilimin e programeve të përshtatura mësimore nga BZHA-ja, që janë në procesin e përpilimit.

Miratimi i Koncepcionit për arsim inkluziv dhe përpilimi i programeve të përshtatura mësimore janë hapa të rëndësishme për tejkalimin e pengesave për inkluzion të fëmijëve/nxënësve me moshë të tejkaluar. Deri tani, për shkak të mungesës së programeve të shkurtuara mësimore, ekzistonte problem për organizimin dhe realizimin e mësimit për ata fëmijë të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë arritur që të regjistrohen me kohë, ndërsa mosha e vështirëson përfshirjen e tyre në paralelet ekzistuese me programet e rregullta. Shkollat kishin vështirësi me përfshirjen në mësim të fëmijëve që nuk janë regjistruar me kohë, ndërsa janë të moshës mbi 9 vjeçe (në paralelet e rregullta nga klasa e parë).

Sipas koncepcionit, duke marrë parasysh më shumë faktorë, para së gjithash, se nxënësit me moshë të tejkaluar nuk ndjehen të përfshirë në mjedisin nëse nuk janë në paralele me nxënës të tjerë të moshës së tyre ose të përafërt, ose nga ana tjetër, se varësisht nga mosha e nxënësve ndryshe përvetësohen dituritë dhe shkathtësitë në shkollë, në interes të nxënësve nevojitet që të arrihet zgjidhje më adekuate për përfshirjen e këtyre fëmijëve në shkollë. Në mesin e udhëzimeve konkrete për inkluzion të nxënësve me moshë të tejkaluar të dhëna në Koncepcionin janë edhe këto si vijon:

 – Nëse nxënësi, deri në regjistrimin e tij në shkollë, nuk ka ndjekur fare mësim (nuk ka qenë i regjistruar në shkollë), e fillon arsimin e tij në përputhje me programet mësimore nga klasa e parë. Mirëpo, varësisht nga mosha e nxënësit, ai/ajo do ta ndjekë mësimin bashkë me nxënës të moshës së tyre ose të përafërt me moshën e tij/saj dhe do të jetë i përfshirë në paralelen, edhe atë:

  • në periudhën e parë të shkollës fillore (përfshihen nxënës deri në 10 vjeç, me ç’rast shkolla do të udhëhiqet sipas parimit që dallimi më i madh mes nxënësit që përfshihet dhe nxënësve të tjerë të mos jetë më i madh se 2 vite) dhe
  • në periudhën e dytë të shkollës fillore (përfshihen nxënës deri në moshën 15 vjeçe, sërish duke i kushtuar rëndësi që dallimi në vite mes nxënësit që përfshihet dhe nxënësve të rregullt të mos tejkalojë 2, gjegjësisht 3 vite nëse është përfshirë në klasën e gjashtë).

 – Në një vit shkollor, nxënësi me moshë të tejkaluar, nëse tregon sukses dhe rezultate mund të marrë vërtetim për dy klasë të mbaruara në programet e përshtatura mësimore. Ai/ajo vazhdon të ndjekë mësimin në paralelen e njëjtë në të cilë është sistemuar.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për inkluzionin e fëmijëve të cilët janë jashtë shkollave në sistemin arsimor, i mbështetur nga Fondacioni për fëmijë Pestaloci(FFP), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.