Mësimdhënës të shkollave të mesme nga Qyteti i Shkupit morën pjesë në trajnimin për realizimin e orëve të përbashkëta përmes nxënies në distancë

471
Mësimdhënës të shkollave të mesme të përfshirë në aktivitete për realizimin e orëve të përbashkëta të “Arseni Jovkov”, “Zdravko Cvetkovski”, “Vëllezërit Milladinov”, “Boro Petrushevski”, “Dimitar Vllahov”, “Josip Broz – Tito” dhe “Vllado Tasevski” nga Shkupi morën pjesë në trajnimin për realizimin e orëve të përbashkëta në distancë me nxënës të gjuhëve të ndryshme mësimore. Rreth 40 mësimdhënës dhe koordinatorë të ekipeve për integrim shkollor, përfaqësues të Qytetit të Shkupit, Qendrës për Arsim Profesional dhe Trajnim, Misionit të OSBE-së në Shkup dhe ekipit të projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik e të Rinjve në Arsim, ishin pjesëmarrës në trajnim.

Ardijana Isahi Palloshi, nga Qendra për Arsim Profesional dhe Trajnim, e prezantoi procesin e organizimit të orëve të përbashkëta para të pranishmëve dhe theksoi se për zbatimin e suksesshëm të këtyre orëve janë përfshirë shkollat dhe Qyteti i Shkupit. U prezantua edhe përparimi në nivel qendror, nivel lokal dhe në nivel të shkollës në raport me integrimin ndëretnik në arsim.

Gjatë trajnimit janë përfshirë edhe mënyra dhe qasje të zbatimit të orëve në distancë në dy gjuhë mësimore. Të pranishmit u njoftuan me përgatitjen për mësim dhe procesin e planifikimit në këto kushte. Si pika kyçe janë veçuar planifikimi i bashkëveprimit maksimal mes nxënësve veçanërisht gjatë mësimit në distancë dhe realizimit të mësimit në dy gjuhë mësimore.

Gjatë orëve duhet të ketë atmosferë pozitive që nxitë bashkëpunim, mbështetje dhe besim të ndërsjellë te nxënësit. Elementi fundamental i pedagogjisë së re është teknologjia, fokusi gjatë përgatitjes është në përmbajtjen, e jo në ambientin, dimensionin edukues të orientuar drejt kohës dhe punës. Planifikimi dhe përgatitja e mësimdhënësve realizues, është më i rëndësishëm në mënyrë që të arrihet rezultat i mirë si në pjesën e arsimit, ashtu edhe në pjesën e edukimit”, shprehet Ardijana.

Mësimdhënësit mësuan më shumë detaje dhe përvetësuan shkathtësi për organizimin e orëve në drejtim të bashkëpunimit kolegjial, ndarjes së resurseve në më shumë gjuhë, punë me nxënësit, përballje me sfidat, zhvillim të kompetencave dhe ngjashëm. Ata u pajtuan se secili mësimdhënës duhet t’i dëgjojë nxënësit me kujdes dhe t’i nxisë që të shprehen lirishëm në të gjitha gjuhët mësimore. Por, edhe se suksesi i orëve të përbashkëta varet nga mbështetja e prindërve, drejtoria e shkollës dhe bashkësia lokale.

I tërë trajnimi ishte i rëndësishëm. Përvetësuam njohuri të rëndësishme për mënyrën në të cilën duhet të realizohet ora e përbashkët në kushte të KOVID-19, si dhe për mundësitë teknike për realizimin e orëve të përbashkëta dhe për pedagogjinë e nxënies në distancë, u shprehën mësimdhënësit.

Në fund pjesëmarrësit diskutuan për një fokusim më të madh në bashkëveprimin gjatë orëve kundrejt vetëm ligjërimit të materialit.

Majda Joshevska – Stojoska, përfaqësuese nga Misioni i OSBE-së, porositi “Teknologjia tani mundëson që të tejkalohen barrierat fizike të integrimit, siç janë ndërrimet etnike ose nxënia në ndërtesa të ndryshme shkollore. Mësimi duhet njëherësh t’i angazhojë dhe bashkojë nxënësit përmes bashkëveprimit të përpiluar”.

Këtë vit shkollor, orët e përbashkëta do të realizohen përmes nxënies në distancë në shtatë shkolla të mesme shumëgjuhëshe në Qytetin e Shkupit. Përmes këtyre orëve, nxënësit do të vazhdojnë të mësojnë, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, të ndërtojnë besim të ndërsjellë dhe të përvetësojnë shkathtësi për jetesë të përbashkët në një mjedis multietnik dhe miqësi të reja.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, i mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).

Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID) apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.