Mbajtja në shkollë dhe integrimi i nxënësve në rrezik të largimit nga shkolla

1255
Trajnim për zhvillimin dhe zbatimin e modeleve dhe qasjeve të orientuara ndaj fëmijës në procesin e ndërtimit të mjedisit shkollor inkluziv u realizua prej më 30 shtator deri më 2 tetor, 2019, në Shkup. Ky trajnim paraqet vazhdimin e programit për mbështetjen e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionistë në kuadër të Projektit për inkluzionin e fëmijëve që janë jashtë shkollave në sistemin arsimor, i mbështetur nga Fondacioni për Fëmijë Pestaloci. Përmes trajnimit, pjesëmarrësit fituan aftësi për krijimin e kushteve të përshtatshme për pranimin dhe mbajtjen në shkollë të fëmijëve të cilët janë jashtë sistemit arsimor.

Në trajnim kanë marrë pjesë 29 mësimdhënës klasorë dhe bashkëpunëtorë profesionistë prej 8 shkollave fillore në projekt – “Gjorgji Sugarev”, nga Manastiri, “Dobre Jovanovski” nga Prilepi, “Marshall Tito” nga Strumica, “Vanço Përke”, “Goce Dellçev” dhe “Dimitar Vllahov” nga Shtipi, “Rade Kratovçe” nga Koçani dhe “Goce Dellçev” nga Shkupi. Përmes metodave të mësimit me përvojë, fokusi në këtë trajnim i është vënë ndërtimit të marrëdhënies inkluzive të mësimdhënësit me fëmijët të cilët rrezikojnë braktisjen e shkollës, ndërtimin e klimës inkluzive në klasë dhe zhvillimin e strategjive dhe intervenimeve lidhur me zhvillimin individual të nxënësve të rrezikuar.

Gjatë trajnimit, janë ndarë shumë sfida me të cilat shkollat çdo ditë ballfaqohen gjatë përfshirjes së nxënësve të cilët kanë qenë jashtë sistemit arsimor, ndërsa kryesisht vijnë prej familjeve të rrezikuara sociale – nxënës me regjistrim të vonuar, nxënës të cilët janë kthyer nga azili, nxënës të cilët e vazhdojnë arsimin pas ndërprerjes së mësimit dhe ngjashëm.

Pjesëmarrësit në trajnim në mënyrë aktive morën pjesë në punëtori dhe ushtrime për njohjen e nxënësve që janë në rrezik, identifikimin e faktorëve për braktisjen e shkollës si edhe analizimin e problemeve gjatë bashkëpunimit me familjet. Ata kanë punuar edhe në krijimin e modeleve dhe strategjive për krijimin e klasës inkluzive dhe shkollës inkluzive. Kujdes i veçantë i është kushtuar rolit të mësimdhënësit në krijimin e mjedisit të sigurt në klasë dhe ndërtimin e atmosferës së pranimit dhe motivimit të nxënësve nën rrezik për ata që në mënyrë më aktive të përfshihen në aktivitetet dhe më me sukses të integrohen në procesin arsimor.

Temat e trajnimit janë prezentuar në mënyrë kreative dhe pozitive, ndërsa trajnuesit ishin të hapur për çdo pyetje dhe të përgatitur për çdo përgjigje. Facilitatorët ishin të qartë dhe në mënyrë kreative i kapën temat e përpunimit“, vlerësojnë një pjesë e pjesëmarrësve në trajnim.

Trajnimi u realizua nga trajnuesit Radmilla Zhivanoviq – psikologe dhe psikoterapeutiste dhe Ivana Marinçek – psikologe dhe psikoterapeutiste. Gjatë periudhës së ardhshme, një trajnim i tillë do të realizohet edhe për përfaqësuesit e 10 shkollave të tjera të cilët janë të përfshirë në projekt.

Trajnimi për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionistë është pjesë e projektit “Inkluzioni i fëmijëve që janë jashtë shkollave në sistemin arsimor” të cilin e implementon Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa me mbështetjen financiare nga Fondacioni për Fëmijë Pestaloci (FFP).