Intervistë me Nazihtere Sulejmanin për grantet për organizimin e aktiviteteve që kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës

512

Shkollat fillore dhe të mesme në shtet që realizojnë aktivitete të përbashkëta të nxënësve për zhvillimin dhe avancimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës mund të aplikojnë për grante që i ndan Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato kanë për qëllim t’i promovojnë praktikat e mira për aktivitete që mbështeten në respektimin e dallimeve, duke ndërtuar me këtë rast një shoqëri multietnike dhe multikulturore.

Mbështetja financiare për shkollat për realizimin e aktiviteteve dhe iniciativave të këtilla mësimore dhe jashtëshkollore ishte siguruar në kuadër të Projektit të USAID-it për integrimin ndëretnik në arsim, që realizohej në periudhën mes viteve 2012-2017, e më pas edhe përmes Projektit të USAID-it për integrimin ndëretnik e të rinjve në arsim. Por, në mënyrë që kjo mbështetje të bëhet e qëndrueshme në formë të granteve edhe në të ardhmen, janë bërë ndryshime në Ligjin për arsim fillor, Ligjin për arsim të mesëm, me të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës mund t’ua ndajë këto grante shkollave edhe më tutje.

Lexoni intervistën e Nazihtere Sulejmani, Kryetare e Komisionit për Intergrim Ndëretnik në Arsim (KINA) pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe njihuni më afër me ndryshimet në sistem që kanë të bëjnë me kyçjen e integrimit ndëretnik në arsim, si dhe me ndikimin e granteve në sistemin e përgjithshëm arsimorë.


Nazihtere Sulejmanin, Kryetare e Komisionit për Intergrim Ndëretnik në Arsim (KINA) pranë Ministrisë së Arsimit

A mund të na tregoni se cilat ndryshime sistemore janë bërë për përfshirjen e integrimit ndëretnik në arsim?

Integrimi ndëretnike në arsim është proces që rrjedhë një kohë më të gjatë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të arritjes së qëllimit kryesor, e ky është kohezioni ndëretnik në arsim.

Ndonëse gjithmonë ka pasur shembuj individual të praktikës së mirë për integrim ndëretnik në shkolla të njëjtat nuk kanë qenë të promovuara sa duhet dhe nuk ka ekzistuar qëndrueshmëri e tyre, si dhe kanë qenë të pamjaftueshme për të siguruar integrim të mirë ndëretnik. Me përfshirjen e dispozitave në Ligjin për arsimin fillor dhe Ligjin për arsim të mesëm për mundësinë e realizimit të aktiviteteve për integrim ndëretnik, në shkolla u hapën mundësitë që shkollat të realizojnë aktivitete të këtilla dhe për të njëjtat të marrin ndihmë financiare edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Aktivitetet për integrim ndëretnik, përveçse në ndryshimet ligjore, u bënë pjesë përbërëse e Indikatorëve për punë cilësore të shkollave që ndiqen nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Integrimi ndëretnik u bë pjesë përbërëse e Programeve vjetore për punë të shkollave. Elemente të integrimit ndëretnik u përfshin edhe në modulet e trajnimit të provimit për drejtorë.

Në vitin 2020, kompetencat dhe standardet e miratuara për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesional në shkollat fillore dhe të mesme janë plotësuar dhe pasuruar me kompetenca për integrim ndëretnik dhe pjesëmarrje demokratike. Me këtë mundësohet që kuadri në shkollat nga pozicioni i praktikantit deri te këshilltari të mund t’i ndërtojnë kompetencat përmes zhvillimit profesional dhe të vlerësojnë kompetencat e arritura përmes zhvillimit në karrierë.

A mund të na tregoni më shumë detaje për rrugën/procesin deri te përfshirja sistemore e granteve?

Projekti i USAID-it për integrimin ndëretnik në arsim, që realizohej në periudhën mes viteve 2012-2017, e më pas Projekti i USAID-it për integrimin ndëretnik e të rinjve në arsim, ishin udhërrëfyes për zhvillimin e procesit për integrim ndëretnik në arsim. Praktikat e mira të Projektit me të cilin motivoheshin shkollat për realizimin e aktiviteteve që kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës përmes ndarjes së granteve na dhanë nxitje Grupit të atëhershëm punues për integrim ndëretnik që të vazhdojmë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës të gjejë mënyrë për t’i mbështetur shkollat në realizimin e aktiviteteve të këtilla.

Të vetëdijshëm se secili projekt ka fillimin dhe fundin, u orientuam drejt të menduarit se si të arrihet një zgjidhje me të cilën do të sigurohet qëndrueshmëri e leksioneve të mësuara nga praktikat e mira.

Grupi punues për integrim ndëretnik në arsim punonte në gjetjen e zgjidhjeve sistemore përmes të cilave do të sigurohet qëndrueshmëria e aktiviteteve për integrim ndëretnik në shkolla. Të gjitha analizat çonin drejt asaj se duhet të intervenohet në ligjet në atë mënyrë që do të mundësohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës të mund t’i mbështesë drejtpërdrejt financiarisht shkollat për realizimin e aktiviteteve për integrim ndëretnik duke marrë parasysh se shkollat janë në kompetencë të komunave/Qytetit të Shkupit, ndërsa me procesin e decentralizimit financimi i shkollave realizohet përmes bllok/dotacionit të dedikuar të komunave.

Në muajin korrik të vitit 2016 janë miratuar ndryshime në Ligjin për arsim fillor dhe Ligjin për arsim të mesëm ku parashikohet shkollat të mund të realizojnë aktivitete për integrim ndëretnik dhe për këtë të mbështeten financiarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës sipas shpalljes së Thirrjes publike për ndarjen e mjeteve në para për shkollat që do të realizojnë aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës në përputhje me kriteret e thirrjes.

Në Ligjin e ri për arsim fillor që hyri në fuqi në gusht të vitit 2019 procesi për integrim ndëretnik në arsim është forcuar më shumë, në atë mënyrë që në Ligjin ekziston një fushë – Avancim i multikulturalizmit/interkulturalizmit dhe integrimit ndëretnik ku është parashikuar formimi i Ekipit për integrim shkollor, përbërja dhe roli i tyre, si dhe sigurimi i mjeteve për mbështetjen e shkollave për realizimin e aktiviteteve për integrim ndëretnik dhe kohën e shpalljes së Thirrjes publike nga Ministria.

Padyshim se bosht lëvizës në gjithë këtë proces në këtë periudhë është Komisioni për forcimin e kapaciteteve për avancimin e integrimit ndëretnik në arsim, i formuar me Vendim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës nga shkurti i vitit 2020, që paraprakisht funksiononte si Grup punues, e që përbëhet nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Qendrës për Arsim Profesional dhe Trajnim, Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Qendrës Shtetërore të Provimeve, Drejtorisë për zhvillimin dhe avancimin e arsimit në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive, Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive (më parë Sekretariat për zbatimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit) dhe BNJVL-së. Ky Komision ka për qëllim ndjekjen e zbatimit të strategjisë për arsim të integruar, propozim të aktiviteteve nga fusha e arsimit të integruar dhe ndjekjen e tyre.

Shfrytëzoj mundësinë për të shprehur një falënderim të madh për ekipin e QMEQ-së nga projektet e USAID-t për integrim ndëretnik si dhe përfaqësuesit e Zyrës së OSBE-së në Shkup, të cilët na ishin mbështetja më e madhe gjatë këtyre viteve të rrugëtimit tonë për sigurimin e integrimit ndëretnik në arsim.

Cili është qëllimi i ndarjes së kësaj mbështetjeje financiare (granteve)? Pse ndahet e njëjta?

Qëllimi i ndarjes së mbështetjes financiare për shkollat e njohur si “grante” është në drejtim të avancimit të procesit të integrimit ndëretnik në arsim. Në mënyrë që ky proces të mund të avancohet padyshim se nevojitej të motivohen shkollat për të realizuar aktivitete për integrim ndëretnik, ndërsa si zgjidhje për mbështetje i parashikuam “grantet”, gjegjësisht mbështetjen financiare të shkollave në lartësi deri në 30.000 denarë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ua ndan shkollave pas shpalljes së Thirrjes publike në muajin tetor çdo vit, duke filluar nga viti 2016.

Çfarë aktivitetesh zbatohen në shkollë në kuadër të këtyre granteve? Çfarë rezultatesh janë arritur me grantet? Na tregoni disa shembuj të suksesshëm.

Sivjet për herë të pestë Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpalli Thirrje publike për ndarjen e mjeteve në para (grante) për shkollat publike fillore dhe të mesme për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta të nxënësve me qëllim të promovimit të praktikave të mira për aktivitete në të cilat kultivohen marrëdhënie harmonike që mbështeten në respektimin e dallimeve, e me këtë rast duke ndërtuar një shoqëri multietnike dhe multikulturore me çka mundësohet ndërtimi i institucioneve të suksesshme dhe efektive edukativo-arsimore që do t’i promovojnë vlerat multietnike dhe multikulturore, qasjen e individualizuar ndaj nxënësve, klimë pozitive emocionale dhe komunikim konstruktiv të shumanshëm në një ambient të këndshëm dhe nxitës shkollor.

Aktivitetet mund të realizohen në mënyrë të pavarur në shkollën në të cilën mësimi realizohet në më shumë gjuhë mësimore ose në partneritet me një shkollë tjetër me përfshirjen e numrit të balancuar të nxënësve të cilët mësimin e realizojnë në gjuhë të ndryshme mësimore.

Sivjet janë siguruar mjete financiare për mbështetjen e 95 shkollave edhe atë 70 shkolla fillore dhe 25 të mesme për realizimin e aktiviteteve që kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës.

Deri tani Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndarë 328 grante edhe atë 249 grante për shkolla fillore dhe 79 grante për shkolla të mesme.

Shkollat aplikojnë me lloje të ndryshme të aktiviteteve të përbashkëta varësisht nga kreativiteti dhe inovacioni i mësimdhënësve dhe nxënësve si p.sh. shoqërime të përbashkëta, shfaqje të përbashkëta teatrore, rregullim të oborrit të shkollës, gara sportive, përpilim të gazetave, organizim të panaireve të ndryshme, aksione ekologjike, realizim të hulumtimeve të ndryshme gjithmonë duke respektuar kriteret e balancimit të numrit të nxënësve, gjinisë, përbërjes etnike.

Çdo vit numri i nxënësve të përfshirë rritet ashtu që më shumë se 15.000 nxënës, më shumë se 1.200 mësimdhënës dhe më shumë se 600 prindër ishin pjesë e aktiviteteve që janë mbështetur financiarisht nga MASH-i.

Ajo që është më e rëndësishme me realizimin e aktiviteteve të këtilla është numri i njohjeve, miqësive të sapokrijuara, komunikimi i vendosur mes nxënësve të cilët ndjekin mësim në gjuhë të ndryshme. Janë thyer stereotipat dhe paragjykimet te një numër i madh i nxënësve.

A mund të na tregoni se çfarë është risi në raport me këto grante sivjet duke marrë parasysh situatën e sapokrijuar?

Situata e sapokrijuar me paraqitjen e pandemisë imponoi nevojën për vendosjen e rregullave dhe mënyrave të reja edhe gjatë realizimit të aktiviteteve të përbashkëta, kështu që shkollat që nuk kanë arritur t’i realizojnë aktivitetet e parashikuara morën udhëzime që të njëjtat t’i riadaptojnë në aktivitete të përbashkëta që do t’i mbajnë onlajn.

Në Thirrjen publike që e shpallëm sivjet kemi bërë të ditur se shkollat mund të aplikojnë për aktivitete të përbashkëta që mund t’i realizojnë përmes bashkëveprimit edhe në distancë, gjegjësisht onlajn ose me prani fizike nëse këtë e lejon gjendja epidemiologjike duke marrë parasysh se këto aktivitete mund të realizohen deri në tetor të vitit 2021.

Në raport me mjetet që i marrin shkollat në vetë Thirrjen publike është përmendur se me të njëjtat mund të furnizohet edhe IKT pajisje meqë presim se do të ketë interesim më të madh për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në distancë, që është ndryshe nga vitet e mëparshme kur këto mjete mund të përdoreshin për materiale të punës, rekuizita, transport të nxënësve për realizimin e aktiviteteve, etj., meqë aktivitetet ishin me prani fizike.

Shkollave gjithashtu u janë ofruar edhe shembuj të aktiviteteve të përbashkëta që mund të realizohen në distancë.

I inkurajojmë shkollat që të planifikojnë aktivitete të mira, interesante dhe kreative me të cilat do të aplikojnë në Thirrjen publike.