Nxënës nga dhjetë shkolla fillore dhe të mesme të shtetit gjatë vitit të kaluar kanë qenë pjesë e Qendrës digjitale për fuzion të ideve, të mbështetur nga Projekti i USAID-it për Integrimin Ndëretnik e të Rinjve në Arsim. Nxënësit me motivim të lartë bashkëpunonin dhe merrnin pjesë së bashku në zhvillimin dhe zbatimin e ideve kreative në përmirësimin e gjendjes në shkollat e tyre dhe rrethinën.
Lina Hristovska, nxënëse në shkollën fillore “Goce Dellçev” nga Manastiri, është pjesë e Qendrës për fuzion të ideve që nga fillimi dhe iniciativa që e propozoi është realizuar në shkollën e saj.Lexoni intervistën dhe mësoni më shumë për përvojën e saj me këtë aktivitet.

Lina Hristovska, nxënëse në shkollën fillore “Goce Dellçev” nga Manastiri
Cila ishte përvoja yte me Qendrën për fuzion të ideve?
Sinqerisht, ishte shumë mirë. Mendoj se jam përfshirë pikërisht në kohën e duhur në këtë aktivitet dhe jam shumë mirënjohëse që jam përfshirë. Të gjitha takimet, trajnimet dhe prezantimet më ndihmuan me vetëbesimin, meqë kam problem të vogël me këtë. Po ashtu, më pëlqeu shumë fakti që shumicën e kohës mund të komunikonim edhe në anglisht dhe të forcojmë shkathtësitë e komunikimit në anglisht, meqë në shkollë e flasim gjuhën vetëm për ta mësuar atë.
Ndonëse ishim onlajn, kisha një ndjenjë se po njoftoj njerëz të rinj dhe për mua nuk ishte pengesë që shoqëroheshim onlajn. Ishim të gjithë të përkatësisë së ndryshme etnike, por me të vërtet shoqëroheshim. Ndonjëherë në shkollën tonë, por edhe në shkolla të tjera kam parë që nxënësit ndahen sipas përkatësisë etnike. E me këtë aktivitet me të vërtetë shoqëroheshim dhe nuk ishte me rëndësi se në çfarë gjuhe mësojmë meqë gjetëm mënyrë për të komunikuar.
Çfarë ju pëlqeu më së shumti nga përfshirja jote e përgjithshme në Qendrën për fuzion të ideve?
Në vend të parë do t’i vendosja stërvitjet meqë mësova shumë prej tyre. Në vend se të mësoj vetë, kam mësuar gjatë atyre trajnimeve dhe shumë gjëra më janë më të lehta pas tyre. Pas kësaj, më pëlqenin shumë edhe takimet dhe prezantimet dhe të gjitha aktivitetet tjera. Faktin që isha panelist në ngjarjenn onlajn me rastin e Ditës së planetit Tokë ishte një përvojë shumë e mirë për mua meqë dëgjuam mendimet e profesionistëve në fushën e ekologjisë dhe me këtë na nxitën edhe ne të bëjmë ndonjë ndryshim. Mendoj se ishte shumë motivuese dhe ne, nxënësit, ishim “krah për krah” me ta gjatë ngjarjes.
Çfarë mësove të re nga përfshirja në Qendrën për fuzion dhe ide dhe çfarë shkathtësish përvetësove?
Përmes aktiviteteve që i zbatuam në kuadër të Qendrës për fuzion të ideve, më është rritur vetëbesimi, kreativiteti, shoqërueshmëria… Tek unë u zhvilluan shumë tipare të ndryshme dhe mora motivim më të madh. Mësova se në botë ende ekziston e mira. Më parë ndihesha sikur po humbisja shpresat, por kjo më ktheu besimin te njerëzimi.
A konsideron se ke bërë ndryshim real në rrethinën tuaj përmes Qendrës për fuzion të ideve? Na sqaro shkurtimisht se çfarë ndryshimesh janë bërë në shkollën tuaj.
Po, ndryshimi më i madh ishte rinovimi i këndit në shkollën që e kemi konceptuar. Konsideroj se bëra ndryshim meqë nxënësit e klasës sime dhe mësuesit e vërejtën ndryshimin dhe më falënderuan se e kam përmirësuar vendin. Kjo më plotësoi shumë. Tani e shfrytëzojmë këndin dhe nxënësit mblidhen atje. Ka më shumë shoqërim mes nxënësve që mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore dhe ata janë të nxitur të dalin jashtë dhe atje të mësojnë së bashku.
Me çfarë sfidash u përballe gjatë pjesëmarrjes në Qendrën për fuzion të ideve, veçanërisht meqë aktivitetet u zhvilluan onlajn për shkak të pandemisë me KOVID-19?
Nuk kishte sfida ose probleme të veçanta. Mendoj se shoqërimi ishte i njëjtë sikur të ishim fizikisht të pranishëm. Siç e përmenda, ndjeva se ishim të gjithë bashkë. Normalisht do të theksoja problemet teknike, por nuk mund të ndikonim në to dhe nuk ishin shumë serioz. Për shkak se e gjithë pandemia ishte stresuese dhe në shkollë shkonim onlajn dhe kishim sfida të lidhura me atë, lidhja në takimet në kuadër të Qendrës më ishte si pauzë për mua. Thashë me vete: “Tani është koha për të qenë interesant në vend se të brengosem për gjithçka dhe të kem frikë nga pandemia”. Më ishte si një lloj lehtësimi, e në të njëjtën kohë edhe nxënie, por edhe argëtim.
A do t’ua rekomandoje Qendrën për fuzion të ideve edhe nxënësve të tjerë?
Po, absolutisht. Na ishte shumë interesante. Kemi pasur shumë aktivitete dhe përmes tyre mësuam gjëra të reja. Mendoj se u ndihmoi jo vetëm njerëzve që përpiqemi t’u ndihmojmë, por na ndihmon edhe neve, nxënësve që marrin pjesë. Edhe ajo që bëhet përmes Qendrës është e mirë për të gjithë. Mund t’u ndihmojmë shumë njerëzve, por edhe nëse është vetëm një njeri apo një nxënës, është e rëndësishme që dëgjohet zëri i të rinjve dhe të bëhet dallim në shoqërinë.
Sipas jush, si mund të motivohen të rinjtë për të marrë pjesë në aktivitete për ndryshim pozitiv në bashkësinë?
Mendoj se mund të motivohen me prezantime për t’u treguar se çfarë kemi bërë, në mënyrë që edhe ata të mësojnë dhe të mund të bëjnë diçka. Sipas meje, të rinjtë do të ishin motivuar më shumë nga bashkënxënësit e tyre, nëse e dëgjojnë mendimin e dikujt të moshës së tyre dhe shohin se çfarë kanë bërë, do të nxiten më shumë që edhe vetë të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla për ndryshime pozitive.
Si do ta shfrytëzosh në të ardhmen përvojën dhe njohuritë që ke përvetësuar për të krijuar ndryshime pozitive që do t’u jenë të dobishme të rinjve?
Do të më duhet kudo meqë kishim shumë stërvitje në fusha të ndryshme. Për shembull, trajnimi i oratorisë publike ishte vërtet i dobishëm dhe do të mund ta shfrytëzoj në çfarëdo rasti. Edhe kreativiteti në përgjithësi në jetë, në shkollë, edhe më tutje mendoj se do të më ndihmojë gjithmonë. Ndihem kështu meqë këtë që e mësova nuk mendoj se do ta harroj ose do ta humb ndonjëherë, por do të më duhet dhe do të zgjasë përgjithmonë.
Këto shkathtësi që i kam përvetësuar do të vazhdoj t’i shfrytëzoj gjatë arsimit të mesëm. Shpresoj se do të përfshihem në parlamentin e nxënësve dhe do të tnetoj të jem në sa më shumë seksione, aktivitete dhe projekte që mundem brenda dhe jashtë shkollës në mënyrë që ta ndaj diturinë që e kam dhe të bëj ndonjë dallim.