Intervistë me George Nikollov: Procesi i krijimit të Strategjisë për integrim ndëretnik arsim dhe pjesëmarrja rinore në çdo komunë është histori pozitive

382

Përmes strategjive për integrim ndëretnik në arsimin dhe pjesëmarrjes rinore, komunat nxisin dhe mbështesin proaktivitet te të rinjtë e bashkësive të ndryshme etnike për përmirësimin e gjendjes në shoqërinë. Deri në fund të vitit, Projekti i USAID-it për integrimin ndëretnik e të rinjve në arsim, i implementuar nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ) do të mbështesë 45 nga gjithsej 81 komuna në shtet në miratimin e strategjive të këtilla përmes të cilave në mënyrë sistemore iniciohet zbatimi i aktiviteteve të parashikuara në ligjet për arsim fillor dhe të mesëm.

Në periudhën e viteve 2019-2020, me mbështetje të QMEQ-së janë miratuar strategji komunale në 30 komuna: Qytetin e Shkupit, Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Tetovë, Shën Nikollë, Kavadar, Strugë, Prilep, Veles, Dollnen, Vrapçisht, Probishtip, Gjevgjeli, Ohër, Resnjë, Bogovinë, Nagoriçan të Vjetër, Negotinë, Aerodrom, Qendër, Çair, Gazi Babë, Saraj, Gjorçe Petrov, Koçanë, Bosillovë, Berovë dhe Vinicë.

Në vitin 2021, QMEQ vazhdoi të punojë me 15 komuna të reja: Dojran, Radovish, Çashkë, Shtip, Zhelinë, Kërçovë, Vasilevë, Bogdancë, Kisella Vodë, Karposh, Manastir, Shuto Orizarë, Mavrovë dhe Rostushë, Dibër dhe Studeniçan për përpilimin e strategjive komunale që pritet të jenë të përfunduara deri në fund të vitit.

Lexoni intervistën me George Nikollov, bashkëpunëtor për arsim dhe mësoni më shumë detaje për atë se çfarë paraqesin strategjitë për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore dhe si të njëjtat të krijohen dhe miratohen nga komunat në shtet.


George Nikollov, bashkëpunëtor për arsim

QMEQ: Çfarë paraqet Strategjia për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore?

Nikollov: Sistemi edukativo-arsimor deri tani kaloi nëpër sfida serioze nëpër proceset e reformave dhe demokratizimit. Disa prej tyre, duke e avancuar sistemin arsimor në tërësi, njëherësh hapën procese paralele që rezultuan me ndarje hapësinore të nxënësve sipas gjuhës mësimore, punë në ndërrime, në kate të ndryshme, madje edhe në objekte të ndryshme me arsyetimin se do të organizohet dhe realizohet më lehtë veprimtaria edukativo-arsimore. Zhvillimet e këtilla nuk ishin përcjellë me politika përkatëse arsimore të nevojshme për t’i tejkaluar pasojat negative që ndarja hapësinore e nxënësve i bartë me vete, ndërsa janë rezultat i pengimit të nxënësve të gjuhëve të ndryshme mësimore për të kontaktuar dhe komunikuar mes vete në mënyrë aktive.

Duke shqyrtuar pasojat negative, u bë domosdoshmëri për të krijuar politikë arsimore që do ta adresojë drejtpërdrejt këtë çështje dhe në bazë afatgjate do të mundësojë bashkëveprim përmes kontakteve dhe komunikimeve mes nxënësve të gjuhëve të ndryshme mësimore. Kështu në vitin 2010, me mbështetje të Misionit të OSBE-së u miratua dokumenti strategjik “Hapa drejt arsimit të integruar në sistemin arsimor në Republikën e Maqedonisë“, në të cilin u hartuan politikat themelore arsimore për tejkalimin e pasojave nga ndarja e nxënësve sipas gjuhës mësimore.

Implementimi i Strategjisë është ndihmuar nga më shumë organizata partnere të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverisë, por dominues është roli dhe ndihma nga USAID-i dhe QMEQ-ja të cilat në periudhë afatgjate investojnë në implementimin e Strategjisë, me mbështetje të shkollave për realizimin e aktiviteteve për integrim ndëretnik në arsimin dhe pjesëmarrje rinore.

Nga ana tjetër, nga implementimi i deritanishëm shumëvjeçar i këtyre aktiviteteve është vërejtur se për arritjen e rezultateve më të mira nevojitet përfshirje më e madhe e komunës dhe bashkësisë lokale në mbështetjen e shkollave për realizimin e aktiviteteve për integrim ndëretnik në arsim, ndërsa përvoja e mirë nga niveli qendror na mësoi se ka nevojë në nivel komunal të krijohet politikë arsimore për mbështetje të aktiviteteve që mundësojnë interaksion mes nxënësve të gjuhëve të ndryshme mësimore.

Nga këtu,  strategjitë komunale për integrim ndëretnik në arsimin dhe pjesëmarrje rinore do të thonë mbështetje, nxitje dhe kujdes i komunës për realizimin e aktiviteteve për integrim ndëretnik dhe pjesëmarrje rinore. Njëherësh, ata hapin mundësi më shumë organizata partnere të përfshihen në mbështetjen për implementimin e politikës së këtillë lokale arsimore.

QMEQ: A krijohet kjo strategji në bazë të kornizës ligjore, me ç’rast do të përfshinte ligje ndërkombëtare dhe ligje dhe strategji të shtetit tonë që kanë të bëjnë me arsimin?

Nikollov: Shikuar në korniza globale strategjia komunale është në përputhje me politikat arsimore të orientuara drejt forcimit të të drejtave të njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat qytetare.

Duke marrë parasysh këtë Strategjia për integrim ndëretnik dhe pjesëmarrje rinore është në përputhje me një varg dokumentesh ndërkombëtare që janë postulate për të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat qytetare. Disa dokumente kryesore ndërkombëtare kanë implementim konkret në strategjitë komunale, siç janë: Deklarata universale për të drejtat e njeriut, Konventa për të drejtat e fëmijëve, Konventa e UNESKO-s kundër diskriminimit në arsim, Karta evropiane e Këshillit të Evropës për kohezion social, Karta Evropiane e Këshillit të Evropës për gjuhë rajonale dhe të pakicave, etj.

Implementimi i deritanishëm i Strategjisë kombëtare për arsim të integruar kontribuoi në masë të madhe që të avancohen situatat në sistemin edukativo-arsimor të parashikuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe koncepcionin për arsimin fillor nëntëvjeçar, ndërsa si rezultat i implementimit të saj, u avancuan Ligji për arsim fillor dhe Ligji për arsim të mesëm. Me këtë u vendos lidhje e fortë mes ligjeve për arsim fillor dhe të mesëm dhe strategjive komunale, meqë strategjitë do të thonë përfshirje të komunës dhe partnerëve në nivel lokal në implementimin e rregullativës ligjore në pjesën e realizimit të aktiviteteve për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore.

QMEQ: Si është organizuar krijimi, implementimi dhe vëzhgimi i saj?

Nikollov: Inicimi për krijimin e strategjive komunale është meritë e QMEQ-së dhe implementimi i Projektit të USAID-it për integrimin ndëretnik e të rinjve në arsimin, që viteve të fundit (duke përfshirë edhe periudhën e viteve 2012-2017 kur e realizonte Projektin për Integrim Ndëretnik në Arsimin – PINA) u jep mbështetje të fuqishme komunave për zhvillimin e politikave arsimore komunale për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore.

Partneriteti i QMEQ-së dhe komunave mundësoi që komunat të përfshihen me krijimin e strategjive komunale. Gjithsesi, i gjithë ky proces i kalon procedurat e parashikuara për punë të vetëqeverisjes lokale, e kjo do të thotë se procesi fillon me formimin e Komisionit për Strategjinë për integrim ndëretnik dhe pjesëmarrje rinore, që më tutje punon në dokumentin. Në praktikën e deritanishme në përbërjen e komisioneve janë emëruar anëtarë të administratës komunale, si dhe mësimdhënës, bashkëpunëtorë profesional dhe drejtorë të shkollave, me ç’rast i është kushtuar kujdes përfaqësimit përkatës sipas gjuhëve mësimore në të cilat realizohet mësimi në komunën.

Procesi i krijimit të Strategjisë është përcjellë dhe mentoruar nga bashkëpunëtorë të QMEQ-së me përvojë shumëvjeçare në implementimin, vëzhgimin dhe avancimin e politikave arsimore të MASH-it për integrim ndëretnik dhe pjesëmarrje rinore. Implementimi i është besuar Komisionit komunal për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore, ndërsa vëzhgimi është i vazhdueshëm, sipas planit komunal për matjen e arritjeve. Në bazë të planit për matje të arritjeve në bazë vjetore Komisioni e informon Këshillin e komunës dhe propozon aktivitete për përmirësime të ardhshme.

QMEQ: Cili është qëllimi i përgjithshëm i kësaj strategjie dhe cilat kompetenca i përmirëson te nxënësit?

Nikollov: Strategjia kombëtare për arsim të integruar ka për qëllim që përmes aktiviteteve sistemore në procesin edukativo-arsimor të kontribuojë në kohezionin më të madh në shoqëri, e para së gjithash kohezion më të madh në vetë sistemin arsimor. Aktivitetet sistemore janë vendosur në mënyrë të gjerë nga niveli kombëtar përmes atij lokal deri te ai shkollor, ndërsa kanë të bëjnë me të gjithë të prekurit me procesin edukativo-arsimor dhe me resurset e domosdoshme për realizim.

Duke i krijuar strategjitë komunale forcohet roli i pushtetit lokal mbi realizimin e aktiviteteve për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore. Nga ana tjetër, secila komunë ka specifikat e saj lidhur me strukturën e popullatës, strukturën e kuadrit mësimor dhe nxënësve në shkolla, dhe në përputhje me këtë secila Strategji komunale vendos qëllim specifik sipas rrethanave në komunë, e që shpie drejt arritjes së qëllimit të përbashkët kombëtar.

E përbashkët për të gjithë ata është se një spektër i gjerë i aktiviteteve kreative sigurojnë interaksion mes nxënësve që ndjekin mësimin në gjuhë të ndryshme, me qëllim të avancimit të ngjashmërive dhe pranim të diversitetit, interkulturës dhe interkulturalizmit, multikulturës dhe multikulturalizmit, me këtë rast duhet synuar t’i forcojnë kompetencat te nxënësit për kulturë demokratike dhe qytetari dhe t’i përgatisin për përfshirje të suksesshme në shoqërinë tonë multikulturore.

QMEQ: Cilat parime janë të përfaqësuara në Strategjinë për INA dhe pjesëmarrje rinore?

Nikollov: Sigurisht se organet e secilës komunë presin realizim të suksesshëm të Strategjisë. Në mënyrë që të sigurohet kjo, Strategjinë e vendosë komuna në pozitë partnere me shkollën dhe bartësit e proceseve në shkollë, veçanërisht Ekipin për integrim shkollor si faktor kryesor për realizimin e aktiviteteve për INA dhe pjesëmarrje rinore në nivel të shkollës. Për shkak të përfshirjes më të madhe në procesin e implementimit të të gjitha palëve të prekura, partneritetit të komunës, besimi dhe përgjegjësia e ndërsjellë është zgjeruar në bashkësinë lokale afariste, organizatat qytetare që veprojnë në sferën e forcimit të kohezionit shoqëror, qytetarët e komunës dhe gjithsesi MASH-in dhe organizatat ndërkombëtare.

Strategjia parashikon më shumë mundësi për përfshirjen e të gjitha palëve të prekura në implementimin edhe atë përmes promovimit të forcuar të mundësive për bashkëpunim dhe transparencë si element kyç për interes të rritur të partnerëve në implementimin. Strategjia parashikon përfshirjen e të gjitha resurseve të mundshme komunale dhe shkollore për promovimin dhe prezantimin e aktiviteteve, duke i shfrytëzuar mjetet bashkëkohore komunikuese dhe organizim të ngjarjeve specifike me këtë qëllim.

QMEQ: Çfarë do të ndanit nga Mentorimi juaj shumëvjeçar në komunat që i përgatitën dhe janë në fazë të përgatitjes së Strategjisë për INA dhe pjesëmarrje rinore?  A ka sfida dhe histori të suksesshme në përvojën Tuaj të pasur?

Nikollov: Në MASH kam punuar në krijimin e Strategjisë “Hapa drejt arsimit të integruar në sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë”, në implementimin e saj dhe në aktivitetet e mëtejshme të MASH-it lidhur me përpilimin e dokumenteve për vëzhgimin dhe informimin e Qeverisë dhe ministrit për arritjet. Sigurisht se gëzohem gjatë çdo rezultati të ri të lidhur me aktivitetet për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore. Mentorimi gjatë krijimit të strategjive komunale është vazhdimësi në kontributin për forcimin e kohezionit shoqëror dhe më krijon ndjenjën personale të kënaqësisë. Puna me më shumë komisione në të cilat janë anëtarë përfaqësues nga komuna, arsimi fillor dhe i mesëm është përvojë e re pozitive. Është për t’u mahnitur të ndjehet entuziazmi i tyre, kompetenca për të punuar në strategjinë, të kuptuarit për pritjet që i ka komuna prej tyre dhe gatishmëria për punë ekipore.

Sfidë e veçantë është krijimi i strategjisë me punë nga distanca në platformat elektronike. Në fillim puna në distancë më krijoi skepticizëm se dinamika e planifikuar e punës do të ngadalësohet, por pas problemeve fillestare, para së gjithash të natyrës teknike, u hapëm shumë mundësi për shkëmbim të informacioneve, materialeve punuese dhe kontraktim dhe punë më efikase.

Vetë procesi i krijimit të strategjisë, në secilën komunë deri tani ishte dhe ende është histori pozitive, secila në mënyrën e saj me energji shumë pozitive dhe angazhim të ekipit gjatë punës. Implementimi i strategjisë në të gjitha komunat në të cilat ajo është miratuar një vit më parë, na jep të drejtën të themi se do të shënojmë histori specifike dhe të suksesshme në vitet e radhës.

Me këtë rast është kënaqësia ime të shpreh falënderim të madh për të gjithë anëtarët e komisioneve në të gjitha komunat për përkushtimin në krijimin e strategjive, madje edhe në momente kur të afërmit e tyre përballeshin me probleme të shkaktuara nga korona.

Gjithashtu, është në kënaqësi të përbashkët të të gjithëve fakti se këshillat e komunave i dalluan përfitimet pozitive nga miratimi i strategjive për integrim ndëretnik në arsim dhe pjesëmarrje rinore dhe të njëjtat janë miratuar me mirëkuptim të madh.