Ambasadorja e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, Sibil Suter, së bashku me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Ministrin e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, Arbër Ademi, sot në Shkup e shënuan fillimin e projektit Arsimim për Punësim në Maqedoni (Е4Е@mk). Projekti mbështetet nga Zvicra dhe i njëjti ka për qëllim ta stimulojë punësimin përmes përmirësimit të aftësive profesionale në vend.
Duke folur për rëndësinë e sistemit për zhvillim për aftësi profesionale në një vend, Ambasadorja Zvicrane Suter theksoi se qëllimi i këtij projekti nuk është të pasqyrohet modeli zviceran, por të përshtaten elemente të caktuara nga sistemi zviceran, të zhvillohet sistem i veçantë për zhvillim të aftësive profesionale i cili do të jetë karakteristik për Maqedoninë. “Një element i tillë është principi i partneritetit” theksoi Ambasdorja Suter. “Partneriteti midis shkollave profesionale apo ofruesve të trajnimeve dhe sektorit privat është me rëndësi kyçe që të sigurohet se të rinjtë do të fitojnë aftësi të cilat u nevojiten punëdhënësve, ndërsa që do t’u mundësojë që më lehtë të punësohen. Duke u bazuar në këtë, kyçja e sektorit privat është pjesë themelore e projektit tonë”.
„Qasja në tregun e punës është veçanërisht e rëndësishme që të rinjtë të ardhmen e tyre ta shohin në Republikën e Maqedonisë. Një prej faktorëve që mund të kontribuojë drejt qasjes më të lehtë të të rinjve në tregun e punës është arsimi profesional cilësor dhe trajnimi“ theksoi Zoran Zaev, Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Përfaqësuesit prej ministrive relevante dhe institucioneve arsimore, shkollat e mesme profesionale, njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhe organizatave qytetare, morën pjesë në ngjarjen zyrtare me të cilën u shënua fillimi i projektit Е4Е@mk.
Në fjalimin e tij, ministri i Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, Arbër Ademi potencoi se “çdo masë arsimore, projekt apo aktivitet duhet të japë kontribut drejt zhvillimit të cilësisë së sistemit kombëtar dhe të ofrojë mundësi të reja arsimore për qytetarët, por njëherësh, duhet të ketë pjesëmarrje në zvogëlimin e hendekut i cili ekziston në tregun e punës, midis nevojave reale dhe ofertës së kapitalit njerëzor“.
Në 10 vitet e ardhshme projekti do të zbatohet nga Helvetes Maqedoni, Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe ka për qëllim të mundësojë që sa më shumë qytetarë, veçanërisht të rinjtë, të fitojnë arsim profesional cilësor dhe trajnime si edhe të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale të cilat do të kontribuojnë drejt punësimit të rritur në vend. Në katër vitet e para të zbatimit të projektit pritet 2250 persona, prej të cilëve pjesa më e madhe të punësohen duke iu falënderuar aftësive të përmirësuara profesionale.