FILLO NDRYSHIMIN: Nxënësit e SHF “Vëllezërit Ramiz-Hamid”, Shkup morën pjesë në aktivitete të shumta

333
Periudhën e kaluar e shënuan aktivitete të shumta të kryesuara nga nxënësit e SHF “Vëllezërit Ramiz-Hamid” nga Shkupi në kuadër të projektit “Fillo ndryshimin”. Me mbështetje të mësimdhënësve të tyre dhe respektimit të protokolleve për mbrojtje ata i zhvilluan shkathtësitë e tyre, shoqëroheshin dhe bashkëpunonin, duke bërë ndryshime pozitive në shkollën e tyre.

Me qëllim që të nxitet aktiviteti fizik te nxënësit, u organizuan shumë lojëra dhe aktivitete interesante. Nxënësit luanin së bashku me topa në oborr, ushtronin në sallën e shkollës dhe vozitnin biçikleta. Njëherësh, mësonin edhe për respektimin e rregullave të sportit dhe zhvillimin e frymës garuese dhe ekipore.

Ata i zhvilluan shkathtësitë e tyre dhe përvetësuan shumë dituri për kulturat e ndryshme përmes përkthimit të përrallës “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët” nga gjuha maqedonase në atë rome. Më pas, vetë u xhiruan duke lexuar përkthimin e përgatitur tashmë. Kjo video e tyre u ndihmoi nxënësve të klasave më të ulëta t’i mësojnë shkronjat dhe të lexojnë. Në të ardhmen mësimdhënësit dhe nxënësit së bashku planifikojnë të përpunojnë edhe përralla të tjera.

Ishin të mirëseardhura edhe shkathtësitë e nxënësve në oratori dhe shprehje të argumentuar. Ata u mblodhën në holin e shkollës dhe me respektimin e protokolleve për mbrojtje së bashku shikonin film të animuar. Më pas, diskutuan për tema si multietniciteti, toleranca, besimi dhe nxorën konstatime.

Në mënyrë që të kenë rekreacion dhe të stimulohet kreativiteti i tyre, mësimdhënësit organizuan punëtori për krijim në natyrë me nxënësit. Të rinjtë vizatonin në temë të lirë, bënin kolazhe dhe krijonin objekte tredimensionale prej materialeve natyrore. Sa i përket natyrës, nxënësit më të vegjël u njoftuan edhe me procesin e fitimit të bukës nga një kokërr gruri. Me ndihmën e mësimdhënësve të tyre ata mbollën kokrrat dhe më pas i përpunuan në mënyrë që të fitojnë produktin final.

Të gjitha aktivitetet kontribuojnë në përfshirjen më të madhe të të rinjve në nivel shkollor dhe u japin mundësi që t’i shprehin qëndrimet dhe idetë e tyre për përmirësimin e gjendjes në shoqëri.