SHF “Panajot Ginovski” nga Buteli me aktivitete për bashkëpunimin multietnik

39
Shkolla fillore “Panajot Ginovski” nga Buteli, për të tretin vit me radhë është përfshirë në mënyrë aktive në aktivitetet e projektit Përforcimi i bashkëpunimit multietnik në komuna, i mbështetur nga Fondacioni i Fëmijëve Pestaloci. Këtë vit shkollor, seksioni “Farkëtarët e të mësuarit” po punon në mënyrë aktive në shkollë, ku nxënësit përmes bashkëpunimit do t’i ringjallin zanatet e vjetra, do të mësojnë për arkitekturën e vjetër të Shkupit, por gjithashtu do të inkurajohen të hulumtojnë dhe të krijojnë produkte kreative.

Në mesin e aktiviteteve të para të seksionit ishte vizita e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, me ç’rast nxënësit i vizituan dyqanet e zanateve të vjetra. Ishin të pranishëm në një punëtori të farkëtarit, në punëtori për përpunimin e gjësendeve të drurit, ndërsa e vizituan edhe një artar, këpucar dhe një punëtori të produkteve autentike të veshjeve tradicionale.

I inkurajuar nga një iniciativë e tillë, një prind i njërit prej nxënësve ua mësoi atyre teknikën krijuese të Dekupazhit – artin e dekorimit të një objekti duke ngjitur letra me ngjyra në sipërfaqe në kombinim me efekte speciale të ngjyrave, fletëpalosjeve të arit dhe elementeve të tjera dekorative.

Për mësimdhënësit nuk ka motivim më të madh se idetë dhe sugjerimet krijuese të nxënësve, me ç’rast me kënaqësi i ndihmojnë në realizimin e ideve të tyre.

“Interesimi i madh i nxënësve është arsyeja që në mënyrë të pakursyer investojmë në aktivitete jashtëshkollore, ku ata e kanë fjalën kryesore. Bisedat gazmore, diskutimet interesante dhe punëtoritë janë motive plus për t’u  angazhuar shtesë. Të gjitha këto rezultojnë në krijimtarinë tonë, por kreativiteti i nxënësve gjithashtu ka një pjesë të madhe. Ato janë një burim i pashtershëm i ideve, mundësive. Kreativiteti i nxënësve sikur nuk ka kufij. E gjithë kjo është forca shtytëse e krijimtarisë dhe angazhimit tonë që seksioni të funksionojë për tre vjet”, thonë mësimdhënësit.

Nxënësit gjithashtu vlerësojnë se aktivitetet jashtëmësimore janë interesante dhe çojnë drejt ndryshimit dhe përmirësimit të integrimit midis tyre.

“Unë jam pjesë e projektit për dy vjet. Mund të them që së pari e ndiej ndryshimin tek vetja, dhe më pas te nxënësit e tjerë, qofshin ata nga klasa ime apo nga klasa të tjera. Si shembuj pozitiv mund të theksoj se sa më shumë shoqërohemi dhe aq më shumë bashkëpunojmë. Në fillim të seksionit, kur kemi hyrë në kabinetin ku kemi punuar, ne jemi ndarë, por tani shoqërohemi shumë së bashku, jo vetëm gjatë seksionit, por edhe gjatë pushimeve, në aktivitete të tjera. Ne madje shkojmë në shtëpi nga shkolla së bashku”, thotë nxënësja Jana Sotirov.

“Në këtë pjesë kemi kuptuar se duhet të jemi së bashku pavarësisht nga pamja fizike, feja, raca dhe kombi. Çdo orë e kalojmë së bashku duke provuar të mësojmë gjuhën amtare të të tjerëve, nganjëherë përziejmë fjalët, ndonjëherë i shpjegojmë me duar, por e kuptojmë njëri-tjetrin”, shton Hana Ramani.

Në periudhën e ardhshme, ky grup nxënësish do të vazhdojë të punojë në seksionin “Farkëtarë të të mësuarit”, duke zhvilluar në mënyrë kreazive të gjitha aktivitetet e parashikuara.

Ky aktivitet është pjesë e projektit për Përforcimin e bashkëpunimit multietnik në komuna, i financuar nga Fondacioni për Fëmijë Pestalloci (FFP). Qëllimi kryesor i projektit është ta rrisë integrimin ndëretnik në shoqëri, duke promovuar multikulturalizmin dhe duke i përfshirë në mënyrë aktive nxënësit e përkatësisë së ndryshme etnike në aktivitete të ndryshme.