Përmes aktiviteteve jashtëmësimore drejt inkluzionit të fëmijëve që janë jashtë shkollave

102
Trembëdhjetë shkolla fillore prej nëntë komunave në Maqedoninë e Veriut rregullisht kanë organizuar aktivitete jashtëmësimore të nxënësve në periudhën nga prilli deri në qershor, 2019, në kuadër të projektit “Inkluzioni i fëmijëve janë jashtë shkollave në sistemin arsimor”, i mbështetur nga Fondacioni për Fëmijë Pestaloci. Përmes aktiviteteve të tilla do të lehtësohet përfshirja e nxënësve në sistemin arsimor – e nxënësve të cilët para kohe e kanë braktisur procesin arsimor, si edhe e nxënësve të cilët nuk e kanë filluar shkollimin në kohë.

Mbi 500 nxënës të mësimit klasor morën pjesë në një sërë lojërash ekipore, punëtori, vizita të monumenteve natyrore dhe kulturore, ekspozita të artit, bazare dhe aksione humanitare. Në një pjesë të aktiviteteve morën pjesë edhe prindërit e nxënësve. Përfshirja e drejtpërdrejtë e prindërve dhe bashkëpunimi me ta është me rëndësi të madhe që ata të mund ta shqyrtojnë rëndësinë e qëndrimit të fëmijëve të tyre në sistemin arsimor, por edhe për gjetjen zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat me të cilat ballafaqohen nxënësit.

Meqë bëhet fjalë për kategori mjaft të ndjeshme të fëmijëve tek të cilët ekziston rrezik sërish të heqin dorë nga shkollimi, nevojitet qasje përkatëse nga kuadri mësimor për qëndrimin e këtyre fëmijëve në shkollë. Pikërisht për këtë, para se të fillojë zbatimi i aktiviteteve, mësimdhënësit u trajnuan për ndërtimin e atmosferës inkluzive në klasë, përforcimin e vetëbesimit tek nxënësit dhe stimulimin e pjesëmarrjes aktive dhe punës ekipore.

Me mbështetjen e projektit, deri më tani janë regjistruar rreth 109 fëmijë në shkollë – një pjesë e tyre me regjistrim të vonuar për herë të parë e fillojnë procesin arsimor, ndërsa një pjesë e tyre kthehen në shkollë. Përmes krijimit të kushteve të cilat do të kontribuojnë për motivim plotësues tek nxënësit që të përfshihen në procesin edukativo-arsimor, pritet të përmirësohet rregullshmëria tek ta.

Vitin e ardhshëm shkollor, në kuadër të projektit do të zbatohet edhe cikli i dytë i këtij procesi – trajnimi i mësimdhënësve dhe organizimi i aktiviteteve për nxënës dhe prindër, ndërsa do të përfshihen edhe disa shkolla të reja.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për inkluzionin e fëmijëve të cilët janë jashtë shkollave në sistemin arsimor, i financuar nga Fondacioni për fëmijë Pestaloci, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.