U mbajt trajnim për mësimdhënësit për punëtori kreative

24
Nga 14 deri më 16 nëntor, 2018 në Shkup u mbajt trajnim për punëtori kreative në kuadër të Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim. Në trajnim morën pjesë 16 mësimdhënës të 8 shkollave të mesme në Maqedoni – “Ismet Jashari”, f. Likovë, Kumanovë, “Saraj”, Shkup, “Risto Risteski – Riçko”, Prilep, “Kuzman Shapkarev”, Manastir, “Vëllezërit Milladinov”, Shkup, “Kole Nehtenin”, Shtip, “Gjorçe Petrov”, Kavadar dhe “Car Samoil”, Resnjë.

Mësimdhënësit, pjesëmarrës në trajnim, fituan aftësi për përdorimin e metodave kreative dhe qasjeve të reja në aktivitetet mësimore dhe jashtë shkollore. Aftësitë e tilla do t’u mundësojnë të organizojnë punëtori kreative me grupe të nxënësve nga shkollat e tyre.

Mënyra në të cilën u zhvillua trajnimi ishte i shkëlqyeshëm- shpreheshim përmes vizatimit, aktrimit, lojës. Kjo përvojë është e rëndësishme për ne mësimdhënësit, pasi do të jetë e nevojshme në punë tonë me nxënësit. Gjatë kohës së trajnimit, u krijua një kohezion mes nxënësve, kishte mirëkuptim të ndërsjellët, respekt, bashkëpunim, përkrahje dhe shoqërim”, deklaroi Mevlude Nigjare Qerimi, mësimdhënëse në shkollën e mesme “Ismet Jashari”, nga Likova.

“Përveç njohurisë që fituam, kishim mundësi të krijojmë miqësi me kolegët dhe të shkëmbejmë mendime dhe përvoja të ndryshme për profesionet tona”, shtoi Olgica Slaveska, mësimdhënëse në shkollën e mesme “Riste Risteski-Riçko”, në Prilep.

Në periudhën që vijon, mësimdhënësit do të punojnë me grupe me strukturë të balancuar etnike, gjinore dhe sociale të nxënësve nga shkollat e tyre. Mësimdhënësit e trajnuar do të organizojnë punëtori kreative gjatë vitit shkollorë 2018/2019.

Shfrytëzimi i veglave kreative në një metodologji të tillë me disenj specifik mundëson që të rinjtë t’i fitojnë aftësitë e nevojshme që të integrohen në shoqërinë qytetare dhe demokratike, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Gjithashtu, punëtoritë kreative kontribuojnë edhe për përmirësimin e vetëbesimit tek nxënësit, zhvillimin e aftësive për punë ekipore dhe bashkëpunimin midis tyre, si edhe stimulimin e kreativitetit për ballafaqim me sfidat të cilat i prekin të rinjtë.

Si rezultat i punëtorive, do të organizohen prezantime publike në bashkësitë lokale.

Mbajtja e punëtorive kreative është metodologji e cila është shfrytëzuar edhe në kuadër të Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik në Arsim, zbatuar nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar në periudhën prej vitit 2011 deri në vitin 2017. Përmes këtyre dy projekteve më shumëvjeçare të USAID-it për Integrimin Ndëretnik, deri më tani janë trajnuar 56 mësimdhënës prej 28 shkollave të mesme me përfshirjen aktive të më shumë se 900 të rinjve.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim (INRA), i financuar nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).