Mbahen trajnime për ikluzionin e fëmijëve që janë jashtë shkollave

19
Faktorë të cilët kontribuojnë që fëmijët ta braktisin procesin arsimor dhe intervenimet potenciale shkollore dhe aktivitetet e mundshme për përfshirjen e sërishme të nxënësve në sistemin arsimor janë vetëm një pjesë e temave të cilat u përfshinë gjatë trajnimeve treditore për përfshirjen e fëmijëve që janë jashtë shkollave. Në trajnimet e mbajtura nga fundi i marsit, 2019, morën pjesë mbi 50 mësimdhënës, drejtorë dhe bashkëpunëtorë profesionistë prej 13 shkollave të përfshira në projektin “Inkluzioni i fëmijëve që janë jashtë shkollave në sistemin arsimor, si edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Qëllimi i trajnimeve ishte të përforcohen aftësitë e pjesëmarrësve për ndërtimin e atmosferës inkluzive në shkolla, para së gjithash, përmes krijimit të kushteve përkatëse për pranimin e fëmijëve të cilët kanë qenë jashtë sistemit arsimor por edhe ruajtjen e tyre të mëtejme. Përmes punëtorive, diskutimeve dhe punës në grup, pjesëmarrësit i ndanë problemet me të cilat ballafaqohen ata në shkollat e tyre dhe në mënyrë të përbashkët gjenin zgjidhje të mundshme për tejkalimin e tyre.

Pyetjet më të shpeshta me të cilat ballafaqohen në mënyrë të barabartë pothuajse të gjitha shkollat janë si vijojnë:
– Çfarë mund të ndërmarrë shkolla që në kohë të regjistrohen në klasën e parë të gjithë nga rajoni?
– Si të qëndrojnë në shkolla nxënësit të cilët vijnë prej familjeve të rrezikuara sociale, të cilët për shkak të gjendjes së rëndë materiale shpesh mungojnë dhe janë në rrezik për braktisjen e shkollës?
– Si të përshtatet me sukses në paralele nxënësi me regjistrim të vonuar i cili është disa vjet më i madh në moshë se bashkëmoshatarët e tij?
– Si të mundësohet mbështetje individuale e nxënësve të familjeve të rrezikuara sociale të cilët ngecin në mësime dhe me vështirësi përshtaten dhe socializohen?

Analizimi i problemeve nga aspekti i nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe institucioneve, jo vetëm që kontribuoi që pjesëmarrësit të kenë pasqyrë më të qartë në kompetencat e të gjithë përgjegjësve për zgjidhjen e problemit në nivel institucional, por edhe në gjetjen e një qasje më efikase në gjetjen e zgjidhjeve më konkrete në nivel të shkollës.

Përvojat e ndara do të na ndihmojnë shumë në punën e mëtejme. Dëgjuam se si kolegët tanë prej shkollave të tjera janë ballafaquar me probleme të ngjashme dhe jemi falënderues ndaj përfaqësuesve të MASH të cilët na i sqaruan dispozitat ligjore për raste të ndryshme lidhur me inkluzionin e fëmijëve të cilët janë jashtë shkollës“, tha njëra prej pjesëmarrësve në trajnim.

Ndryshe, sipas anketës që e zbatoi QMEQ, numri më i madh i fëmijëve të cilët janë jashtë shkollave janë romë të cilët vijnë prej familjeve me rrezik social ose janë pa dokumente, por nuk janë të përjashtuar edhe fëmijët e bashkësive të tjera etnike. Lidhur me problemin për përfshirjen e nxënësve në rast të mospasjes së dokumentit përkatës, përfaqësuesit e MASH e shpjeguan procedurën.

Pavarësisht asaj nëse fëmijët kanë dokumente personale, shkolla ka për obligim t’i regjistrojë këta fëmijë dhe t’u mundësojë që rregullisht ta ndjekin mësimin. Nxënësit evidentohen pa numër amëz, ndërsa dëftesat do të jepen madje pasi të përfundojë procedura për nxjerrjen e dokumenteve personale. Gjithashtu, fëmijët të cilët janë kthyer nga jashtë, shkolla obligohet t’i regjistrojë edhe atë, në atë klasë e cila është e radhës nga klasa e fundit e përfunduar në atë vend. Nxënësi mbetet në atë klasë derisa nuk përfundon procedura për nostrifikimin e dokumenteve nga jashtë, me ç’rast nxënësi kalon në klasën përkatëse sipas nostrifikimit të kryer. Shkollat, sipas ligjit, duhet t’u dalin në ndihmë këtyre fëmijëve dhe t’u mundësojnë ndjekjen e rregullt të mësimit gjatë kohëzgjatjes së procedurave të tilla administrative“, deklaroi një përfaqësues i MASH.

Trajnimet i udhëhoqën trajnuesit Radmilla Zhivanoviq, psikologe dhe psikoterapeiste dhe Valentina Zllatanovska, praktikante, pedagoge e një shkolle fillore. Pas përfundimit të trajnimeve për shkollat, Projekti do të vazhdojë të punojë në gjetjen e zgjidhjeve sistematike – sjelljen e programeve të shkurtuara mësimore, mundësimin e qasjes më të madhe për nostrifikimin e dokumenteve për shkallën e përfunduar të arsimit jashtë vendit dhe sigurimin e të dhënave të plota dhe të sakta për të gjithë nxënësit.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për inkluzionin e fëmijëve të cilët janë jashtë shkollave në sistemin arsimor, i financuar nga Fondacioni për fëmijë Pestaloci, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.