Intervistë me Zoran Uzunov: Nxënësit duhet të mësojnë për njëri-tjetrin por edhe nga njëri-tjetri

35
Në komunën e Strumicës jetojnë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike. Karakteri multietnik i popullsisë e imponon nevojën që komuna në vazhdimësi ta promovojë integrimin ndëretnik, veçanërisht në fushën e arsimit. Përkushtimi i komunës theksohet veçanërisht përmes bashkëpunimit me sektorin civil – në një numër projektesh duket si një pilot komunë ku realizohen aktivitetet për integrimin ndëretnik të cilat i përfshijnë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit, organet drejtuese të shkollave, këshillat e prindërve dhe bashkësinë lokale.
Lexojeni intervistën me Zoran Uzunov, inspektor i arsimit në komunën e Strumicës dhe mësoni më shumë për atë se si komunat mund t’i mbështesin shkollat në përmirësimin e integrimit ndëretnik.


Zoran Uzunov, inspektor i arsimit në komunën e Strumicës

Që të munden shkollat të zbatojnë aktivitete për integrimin ndëretnik dhe nisma qytetare, mbështetja e institucioneve është shumë e rëndësishme. Në çfarë mënyre komuna e Strumicës u jep mbështetje shkollave dhe mësimdhënësve?

Integrimi ndëretnik në arsim paraqet promovimin e interaksionit midis nxënësve edhe në shkollat më shumëgjuhëshe edhe në ato njëgjuhëshe. Kur nxënësit marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta kanë mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë dhe kontakt të ndërsjellë, njohje të ndërsjellë. Është e rëndësishme që nxënësit të mësojnë për njëri-tjetrin por edhe nga njëri-tjetri, me çka zvogëlohen stereotipat negative dhe paragjykimet për “të tjerët”.

Mu për këtë, Komuna e Strumicës zbatoi sistem të organizimit të aktiviteteve të përbashkëta për integrim ndëretnik në arsim (INA), përmes organizimit të takimeve midis shkollave më shumëgjuhëshe dhe njëgjuhëshe të cilat përfshijnë numër më të madh të nxënësve të përbërjes së përzier etnike si edhe mësimdhënës dhe prindër.

Në buxhetin e komunës, për çdo vit, janë paraparë nga 15.000 denarë për çdo shkollë të cilat mund të shfrytëzohen për aktivitete të përbashkëta mësimore si për shembull orë të përbashkëta apo projekte hulumtuese, por edhe aktivitete të lira të përbashkëta mësimore dhe jashtëmësimore siç janë ekskursionet, seksionet, shfaqjet teatrale, lojërat sportive dhe ngjashëm.

Këto janë vetëm disa shembuj për aktivitete të realizuara prej 15.000 denarëve nga buxheti: Nën moton “Luajmë, mësojmë dhe rritemi së bashku”, nxënësit dhe mësimdhënësit e SHF “Marshall Tito” nga Strumica dhe SHF “Shën Cirili dhe Metodij” nga f. Dabile, realizuan takim të përbashkët me lojëra sportive, ndërsa nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFK “Nikolla Karev” nga Strumica së bashku me shkollat partnere “Saraj” nga komuna e Sarajit i vizituan xhaminë dhe kishën “Shën Pesëmbëdhjeta” në Strumicë, me ç’rast realizuan aktivitet të përbashkët të artit figurativ.

Me kërkesë të shkollave, të cilat lidhen drejtpërdrejt me komunikimin interkulturor dhe integrimin e ndërsjellë edhe jashtë shtetit, deri më tani është siguruar mbështetje financiare edhe për bashkëpunimin me shkollat e më shumë komunave nga Republika e Turqisë, Kroacia, Italia, Bullgaria dhe të tjera. Për kampin ndërkombëtar për këmbim interkulturor në fshatin e fëmijëve Pestaloci – Trogen, Zvicër, që për herë të tretë realizohet për nxënësit nga Strumica, komuna i siguron nga 300.000 denarë për transportimin e 40 nxënësve dhe 6 edukatorëve.


Lojëra të përbashkëta sportive

Në vitin 2016, me qëllim që të planifikohen, realizohen dhe ndiqen aktivitetet për integrimin ndëretnik në shkolla, komuna e Strumicës formoi Komision për integrimin ndëretnik në arsim. Si funksionon Komisioni dhe cilat janë rezultatet e punës së deritanishme?

 Detyrat kryesore të Komisionit përfshijnë përpunimin e planit veprues komunal i cili bazohet në planet vepruese të përcaktuara në programet vjetore të shkollave, sigurimin e mbështetjes financiare dhe logjistike për realizimin e aktiviteteve për integrimin ndëretnik, megjithatë edhe merr pjesë në realizimin dhe ndjekjen e aktiviteteve.

Gjegjësisht Komisioni bashkërisht i planifikon dhe i realizon aktivitetet me shkollat, merr pjesë drejtpërdrejtë, e ndjek “rrugën” që të vijë nga ideja e deri tek realizimi dhe e informoi opinionin përmes ueb faqes së komunës dhe përmes medieve të tjera elektronike dhe të shtypit. Gjithashtu, Komisioni përpunon raporte vjetore dhe ia dorëzon kryetarit të Komunës dhe Këshillit të Komunës.

Është e rëndësishme të thuhet se Komisioni është i përbërë prej përfaqësuesve të komunës dhe prej përfaqësuesve të shkollave fillore dhe të mesme. Pasi komisioni paraprak pati mandat prej dy vitesh, këtë vit është formuar një i ri i cili filloi me punë në fillim të vitit shkollor.

Nga raportet e deritanishme të marra nga shkollat dhe nga Komisioni, për dy vite, deri më tani janë realizuar 24 aktivitete të ndryshme, të cilat mund të shihen në ueb faqen e komunës. Këto aktivitete janë pjesë edhe e raporteve vjetore të shkollave, ndërsa një pjesë e posterëve, përpunimeve dhe dokumenteve të shkruara janë vendosur në muret e korridoreve të shkollave.


Shfaqje e nxëenësve: Të rinjtë e SHMK-së “Nikolla Karev” promovojnë bashkëpunim ndëretnik 

Komuna e Strumicës e ka edhe strategjinë e saj për zhvillimin e integrimit ndëretnik në arsim. Çfarë përfshin strategjia?

Qëllimi i përgjithshëm i strategjisë është vendosja e mjedisit stimulues për pjesëmarrjen aktive të komunës dhe shkollave në krijimin e politikave për aktivitete për integrimin ndëretnik në nivel komunal. E njëjta përfshin më shumë fusha të cilat planifikohen në programet vjetore të shkollave.

Krahas aktiviteteve të tjera të cilat i kam përmendur, komuna i ndjek mekanizmat me të cilat siguron promovimin e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë ndaj fëmijëve pa dallim gjinisë, përkatësisë etnike, përkatësisë sociale dhe aftësive, gjegjësisht kujdeset që shkollat të udhëheqin politikë të vlerësimit pozitiv dhe promovimit të diversitetit gjinor, etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor në shkollë dhe në bashkësi. Gjithashtu, komuna kujdeset që shkollat të planifikojnë dhe të realizojnë aktivitete me të cilat nxënësit do të nxiten për dëgjimin aktiv, shprehjen e mendimit dhe respektimin e mendimit të të tjerëve në grup.


Nxënës në vizitë të komunës së Strumicës 

Si inspektor i arsimit, Ju jeni në komunikim të vazhdueshëm me shkollat. Gjatë vizitës në shkolla, cilat janë përshtypjet e juaja lidhur me aktivitetet dhe kushtet për të punuar në shkolla?

Në kuadër të kompetencës së përcaktuar të inspektorëve të autorizuar komunal, ndërsa duke u nisur edhe prej prioriteteve strategjike në Strategjinë e Arsimit, së bashku me drejtorinë e shkollës shqyrtohen gjendjet e objekteve dhe identifikohen nevojat për përmirësimin apo riknstruimin e objekteve, me fokus të veçantë në shkollat fillore rajonale, furnizimin e mjeteve mbikëqyrëse dhe ndihmëseve teknike, përmirësimin e efikasitetit energjetik me vendosjen e ngrohjes me gaz, vendosjen e dyerve dhe dritareve të reja, vendosjen e termofasadave, konstruksioneve të çative etj.

Vitin e kaluar, më shumë shkollave u janë ofruar nga 500.000 denarë nga buxheti komunal për rinovimin, rindërtimit ose punëve ndërtimore të tjera, me të cilat për shembull u siguruan dritare të reja në shkollën fillore lokale në fshatin Bansko, u rinovua salla sportive në shkollën në fshatin Veleusa etj. Nga buxheti i komunës disa herë janë asfaltuar më shumë terrene sportive në oborret e shkollave, ndërsa janë ndërtuar edhe të reja. Më duhet ta them edhe faktin se në forumet e organizuara buxhetore  të gjitha shkollat ​​me përfaqësuesit e tyre kontribuojnë në krijimin e buxhetit komunal.

Gjithashtu, gjatë rikonstruimit të shkollave me mjete prej donatorëve të ndryshëm, veçanërisht USAID-I, komuna siguron mjete financiare me çka arrihen efekte më të mëdha gjatë rinovimit dhe sigurohet qëndrueshmëri e objektit. Megjithatë, më duhet të theksoj se me procesin e decentralizimit nuk është përfshirë rinovimi I shkollave. Për investimet kapitale, akoma faktor kryesor është Ministria e Arsimit dhe Shkencës.


Para dhe pas rinovimit të SHM “Jane Sandanski” në Strumicë, i përmbajtur nga Projekti i USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim 

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim i financuar nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).

Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.