Intervistë më Nigjar Nagavci: Të rinjtë nga të gjitha etnitë kanë të njëjtat probleme, dëshira, interesa dhe qëllime

45
Kreativiteti dhe inovacioni e çojnë botën përpara. Në vitin e parë të projektit, përmes Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, 16 mësimdhënës prej 8 shkollave të mesme janë trajnuar për zbatimin e punëtorive kreative dhe forum teatrove në shkolla. Nigjar Nagavci, profesoreshë e Edukatës fizike dhe arsimit shëndetësor në shkollën e mesme “Zef Lush Marku” nga Shkupi është një prej profesoreshave të trajnuara.
Lexoni intervistën me Nigjar Nagavcin dhe mësoni më shumë.


Nigjar Nagavci, profesoreshë e Edukatës fizike dhe arsimit shëndetësor në shkollën e mesme “Zef Lush Marku”

Ju jeni profesoreshë e Edukatës fizike dhe arsimit shëndetësor e cila është me rëndësi të madhe për stimulimin e mënyrës së shëndoshë të jetesës dhe rritjes së drejtë dhe zhvillimit tek të rinjtë. Krahas kësaj, përmes sportit të rinjtë mësojnë  edhe për vlerat si lojën korrekte, respektimin w ndërsjellë, komunikimin e hapur dhe për punën ekipore. A vlerësoni se sporti është vegël përkatëse për ndërtimin e urave midis nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike?

Sporti ka fuqi t’i shkaktojë kënaqësitë më të mëdha dhe dhunën më të madhe tek njerëzit në mbarë botën. Projekti për integrimin ndëretnik të të rinjve në arsim na hapi pikëpamje të reja dhe na sfidoi të ndërmarrim aktivitete në të cilat do ta nxisim më të mirën dhe më fisniken tek nxënësit. Pamë se me ndihmën e aktiviteteve sportive të ideuara mirë kontribuojmë që nxënësit e grupeve të ndryshme etnike të jenë të kënaqur dhe të gëzuar. Gjatë këtyre aktiviteteve ata shoqërohen, bashkohen, ndjehen të barabartë, kanë qëllim të përbashkët dhe çka është më e rëndësishme flasin pa e njohur gjuhën e tjetrit.


Nigjar realizon  aktivitete sportive më nxënësit nga bashkësitë e ndryshme etnike 

Si profesoreshë e cila është e  trajnuar për zbatimin e punëtorive kreative dhe forum teatrove, a vlerësoni se mësimdhënësit mund ta shfrytëzojnë kreativitetin për përmirësimin e integrimit ndëretnik tek të rinjtë?

Gjithsesi se mundemi. Përmes punëtorive kreative mund të bëjmë shumë ndryshime tek të rinjtë madje edhe tek ne. Në çdo hap jemi të rrethuar me dezinformata apo informacione negative të cilat na ndjellin mëri, urrejtje, frikë dhe pasiguri. Punëtoritë kreative u mundësojnë të rinjve përmes përvojës personale të mësojnë për grupet e tjera etnike. Ata mësojnë se edhe pse u takojnë grupeve të ndryshme etnike, kanë shumë interesa dhe qëllime të përbashkëta. Me atë humbet frika nga e panjohura, bëhet riprogramimi i cili ndihmon për zvogëlimin e paragjykimeve dhe sterotipave, që është parakushti i parë për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.


Pjesëmarrësit në trajnimin për punëtori kreative 

Pas përfundimit të trajnimit për punëtori kreative, keni organizuar mbi 40 punëtori në shkollën tuaj. Si vijon një punëtori kreative?

Çdo punëtori kreative lë gjurmë tek të gjithë pjesëmarrësit. Nxënësit në këto punëtori marrin pjesë aktivisht nga ideja deri në realizim. Vjen në shprehje krijimtaria e tyre, mendimi i tyre, dëshirat e tyre dhe nxitja për të menduar ndryshe. E gjithë kjo mund të jetë shumë pak në shprehje në mësimin e rregullt, prandaj nxënësit duan të marrin pjesë në këto lloj aktivitetesh. Gjatë këtyre punëtorive, pjesëmarrësit janë shumë të motivuar, të disponuar, gjithmonë duan të qëndrojnë sa të jetë e mundur më shumë dhe t’u mundësohet të takohen më shpesh se që parashihet.


Studentët nga “Zef Lush Marku” në punëtoritë kreative

Çfarë aktivitetesh do të organizoni në periudhën e ardhshme?

Për momentin, kolegia ime Luana dhe nxënësit tanë, jemi duke e përgatitur një shfaqje – një forum teatër ku nxënësit përmes lojërave, këngëve, vallëzimit dhe poezisë duan të na dërgojnë mesazhe që të rinjtë nga të gjitha etnitë kanë të njëjtat probleme, dëshira, interesa dhe qëllime. Shfaqja gjithashtu do të tregojë ngjashmëri në zakonet dhe traditat. Ne jemi të befasuar me idetë dhe kreativitetin e nxënësve tanë. Ata dëshmuan se nëse u besoni dhe u leni hapësirë atyre që të bëjnë diçka nga ideja deri në realizim, ata do t’ju befasojnë këndshëm.