Filloi cikli i trajnimeve për mësimdhënësit e lëndës Edukimi Qytetar

334
Më 19 nëntor, 2018, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar filluan me mbajtjen e trajnimeve për mësimdhënësit e lëndës Edukimi qytetar, me mbështetjen e Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim dhe të projektit Përforcimi i Bashkëpunimit Ndëretnik në komuna nga Fondacioni për Fëmijë Pestalloci. Përmes ciklit prej katër trajnimeve treditore, në periudhën e ardhshme do të përfshihen të gjithë mësimdhënësit të cilët ligjërojnë lëndën Edukimi qytetar prej të gjitha shkollave fillore në Maqedoni.

Trajnimet janë pjesë e reformave në arsimin fillor të cilat ofrojnë koncept të ri për edukimin qytetar dhe kanë për qëllim t’i përforcojnë aftësitë e mësimdhënësve për realizimin e programit të ri mësimor në lëndën e Edukimit qytetar për klasën e tetë. Përmes trajnimeve, mësimdhënësit do të njoftohen edhe me qasjen e re në mësimdhënie dhe në mësimin e edukimit qytetar që nënkupton përfshirjen aktive të nxënësve dhe zbatimin e nismave të nxënësve në kuadër të lëndës.

Koncepti i ri për edukim qytetar hap mundësi për nxënësit që ta zbatojnë në praktikë edukimin qytetar dhe me atë t’i përmirësojnë rezultatet prej mësimit. Gjithashtu, koncepti mundëson në mësim të shfrytëzohen metoda mësimore të cilat iniciojnë diskutime dhe pjesëmarrjen aktive të nxënësve në procesin e mësimit.

Për programin e ri mësimor për lëndën Edukimi qytetar u përgatit edhe Broshura për Edukimin Qytetar për klasën e tetë e cila zbatohet në vitin shkollor 2018/2019. Në Broshurë janë përpunuar përmbajtje prej programit mësimor të dedikuara për të gjithë nxënësit e klasës së tetë edhe atë:
– Tema 1: Kuptimi për veten si qytetar
– Tema 2: Bashkëpunim dhe lidhshmëri në shoqëri qytetare
– Tema 3: Qytetari dhe shoqëria
– Tema 4: Religjioni, arti dhe mediat në shoqërinë qytetare
– Tema 5: Qytetari dhe shteti
– Tema 6: Qytetari dhe bota

Përpunimit të Broshurës i parapriu një proces më afatgjatë i punës së ekipit profesional për zhvillimin e mësimit për lëndën e edukimit qytetar  edhe atë në disa sfera kyçe:
– Shqyrtimi i dokumenteve ndërkombëtare dhe rekomandimeve për edukim qytetar, strukturës sistematike dhe proceseve vijuese për reforma në planet dhe programet mësimore në Republikën e Maqedonisë;
– Identifikimi i kompetencave qytetare kryesore të cilat duhet t’i posedojnë nxënësit pas përfundimit të një shkalle të caktuar të arsimimit;
– Analiza e planeve dhe programeve mësimore nga aspekti i edukimit qytetar;
– Përqendrimi në gjendjen dhe angazhimet për organizimin dhe pjesëmarrjen e nxënësve.

Në periudhën e ardhshme, institucionet arsimore në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar do të punojnë edhe në zhvillimin e Edukimit Qytetar për klasën e nëntë si edhe për arsimin e mesëm.

Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.