Aksion i të rinjve: Oborri i SHM “Jane Sandanski” nga Strumica me pamje të re

79
Më 31 maj, 2019, mbi 100 të rinj nga Strumica organizuan aksion vullnetarësh për rregullimin e oborrit të shkollës së mesme “Jane Sandanski”, me mbështetjen e Komunës së Strumicës dhe Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim. Në aksion morën pjesë nxënës të shkollave të mesme “Jane Sandanski” dhe “Nikolla Karev”, ndërsa morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Strumicës, Kosta Janevski, ushtruesja e detyrës ambasadore e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mikaela Shvajzer-Blum dhe eprori kryesor Mark Vajnandt nga Defense Attaché Office në kuadër të Ambasadës së SHBA-së në RMV, si përfaqësues i Komandës Evropiane të SHBA-së.

Të rinjtë i pastruan mbeturinat në oborr i rregulluan sipërfaqet e gjelbra dhe vendosën zhardineri, i zëvendësuan dërrasat e dëmtuara në stola me të reja dhe i ngjyrosën konstruksionet prej betoni në oborr.

Aksioni i të rinjve është produkt final i procesit afatgjatë të mbështetur nga Komuna e Strumicës dhe Projekti i USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim në bashkëpunim me Forumin Rinor të Arsimit. Në fillim të muajit, nxënësit patën takim të përbashkët në të cilin u njoftuan dhe i identifikuan problemet në qytet me të cilat ballafaqohen si të rinj. Si sfidë për të cilën shprehën dëshirë edhe vetë të ndihmojnë të tejkalohet, të rinjtë e veçuan oborrin e shkollës “Jane Sandanski” i cili ishte në gjendje të keqe deri para ca kohësh.

Përmes krijimit të mundësive që nxënësit të shoqërohen dhe të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme qytetare, Projekti i USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim kultivon interaksione pozitive midis të rinjve me përkatësi të ndryshme etnike në nivel të shkollës dhe bashkësisë.

Këtë vit shkollor, Komuna e Strumicës dhe Projekti në partneritet i rinovuan dy shkolla, me mbështetjen financiare të Komandës Evropiane të SHBA-së. Në shkollën e mesme “Jane Sandanski” u vendos termo fasadë në pjesën perëndimore të objektit shkollor, derisa në SHF “Marshall Tito” u vendos konstruksion midis kateve (pllakë) në katin e objektit të shkollës dhe u ndërruan dyshemetë ekzistuese në një pjesë të klasave.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim i financuar nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).

Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.