Udhëzues i promovuar për organizimin e orëve të përbashkëta mësimore

40
Më 17 dhjetor, të vitit 2021, u mbajt një ngjarje për promovimin e Udhëzuesit për organizimin e orëve të përbashkëta mësimore, të përpiluar në kuadër të Projektit të USAID-it për integrimin ndëretnik e të rinjve në arsim dhe Projektit Forcim të bashkëpunimit multietnik në komunat të Fondacionit për fëmijë Pestaloci, në partneritet me Misionin e OSBE-së në Shkup, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byronë për Zhvillimin e Arsimit, Qendrën për Arsim Profesional dhe Trajnim dhe Qytetin e Shkupit. Udhëzuesi përmban udhëzime për realizimin e këtyre orëve me nxënës të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore, si dhe leksione të mësuara nga realizimi i deritanishëm i orëve.

Gjatë ngjarjes, janë ndarë shembuj të suksesshëm dhe përvoja personale të nxënësve, mësimdhënësve, shërbimit profesional dhe drejtorëve të shkollave të mesme nga pjesëmarrja në këtë iniciativë. Përmes shifrave dhe dëshmive nga hulumtimi i zbatuar u prezantua edhe ndikimi pozitiv i orëve të përbashkëta te të rinjtë. Me fjalë tjera, tetë nga dhjetë nxënës të shkollave të mesme nga Qyteti i Shkupit të cilët janë pjesë e orëve të përbashkëta kanë deklaruar se ndjejnë gëzim dhe/ose emocion kur mendojnë për këto orë dhe duan të jenë pjesë e tyre në të ardhmen.

Në mesin e të pranishmëve ishin ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, përfaqësuesja e Zyrës së USAID-it në Maqedoninë e Veriut, Enid Nunez, si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore, mësimdhënës dhe nxënës.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është një mbështetëse e madhe e të gjitha nismave që kanë për qëllim promovimin e interkulturalizmit dhe integrimit në arsim. Orët e përbashkëta mësimore janë veçanërisht të rëndësishme në krijimin e kushteve për kontakt të rregullt dhe të vazhdueshëm pozitiv mes nxënësve të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore. Konsideroj se Udhëzuesi për organizimin e orëve të përbashkëta mësimore do të jetë mjet i dobishëm dhe frymëzim në mënyrë që modelin e orëve të përbashkëta mësimore ta implementojnë edhe komuna të tjera në të cilat ka shkolla shumëgjuhëshe”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në fjalën e saj theksoi: “Kjo iniciativë është sukses që lidhet drejtpërdrejt me strategjinë lokale për arsim të integruar dhe përfshirje qytetare të Qytetit të Shkupit. Si mbajtës të orëve të përbashkëta mësimore, pjesëmarrja e Qytetit të Shkupit në krijimin e këtij Udhërrëfyesi është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të vendosjes së këshillave praktike dhe historive të suksesshme që rezultojnë nga implementimi i orëve të përbashkëta mësimore, numri i të cilave po rritet çdo vit në gjithnjë e më shumë shkolla”.

Kreu i Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, falënderoi të gjitha palët e përfshira në përpilimin e Udhëzuesit dhe shtoi, “Misioni do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që rezultojnë për mundësi më të shpeshta dhe më të mira për bashkëveprim mes nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike. përmes zhvillimit të politikave, programeve ose trajnimeve të reja”.

“Të rinjtë janë e ardhmja dhe përpjekjet e tyre të përbashkëta luajnë rol të madh në ndërtimin e urave duke prezantuar hapur iniciativat dhe nevojat e tyre demokratike në të gjitha nivelet. USAID-i mbështet implementimin e orëve të përbashkëta mësimore dhe Udhëzuesi për organizimin e orëve të përbashkëta mësimore është vegël e dobishme që do të ofrojë udhëzime për shkollat dhe komunat në shtet lidhur me realizimin e këtyre orëve. kam kënaqësinë që sot jam me ju”, deklaroi Enid Nunez, përfaqësuese e USAID-it në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin shkollor 2021/2022, orët e përbashkëta mësimore realizohen me më shumë se 700 nxënës dhe 54 mësimdhënës në tetë shkolla të mesme në Qytetin e Shkupit – “Arseni Jovkov”, “Zdravko Cvetkovski”, “Vëllezërit Miladinov”, “Boro Petrushevski” “Dimitar Vlahov”, Josip Broz-Tito”, Vllado Tasevski” dhe “Pançe Karagjozov”. Përmes këtyre aktiviteteve, përmirësohet bashkëpunimi ndëretnik mes nxënësve dhe forcohen vlerat e tyre qytetare dhe demokratike.

Ky aktivitet është pjesë e Projektit për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, i mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).

Ky aktikull është përgatitur me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e shprehura i takojnë QMEQs në këtë faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID) apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.