Të rinjtë nga Buteli promovuan bashkëpunim multietnik

479
Më maj, 2019, në parkun e Komunës së Butelit u mbajt një ngjarje publike promovuese me moton “We are the world”, e organizuar në kuadër të Projektit “Forcimi i bashkëpunimit multietnik në komuna”, mbështetur nga Fondacioni për Fëmijë Pestaloci. Në ngjarjen morën pjesë më shumë se 100 nxënës të shkollave fillore “Zhivko Brajkovski”, “Petar Zdravkovski Penko” dhe “Panajot Ginovski”, ndërsa ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski.

Gjatë ngjarjes, të rinjtë i prezantuan produktet finale nga pjesëmarrja e tyre disamujore në seksionet shkollore, si pjesë e aktiviteteve të Projektit. Nxënësit e SHF “Zhivko Brajkovski” të cilët janë anëtarë të seksionit “Programim me mikrobit” prezantuan një maket të alarm-detektorit, të krijuar në kuadër të seksionit. Nxënësit e SHF “Panajot Ginovski”, anëtarë të seksionit “Musketarë të shkencës”, paraqitën disa përpunime inovative – robot, maket të qytetit në të cilin kanë përçuar energji elektrike dhe maket të Sistemit diellor. Nxënësit e SHF “Petar Zdravkovski Penko”, nga ana tjetër, i prezantuan aktivitetet që gjatë periudhës së shkuar i realizuan në shtëpinë e pensionistëve “Lika Çopova” në Çair, si pjesë e seksionit humanitar të shkollës.

Gjatë ngjarjes, nxënësit kishin edhe disa paraqitje muzikore, baleti dhe multimediatike, ndërsa u janë ndarë edhe certifikata për pjesëmarrje në seksionet e shkollës.

Në seksionet e shkollave që i mbështetë Projekti “Forcim i bashkëpunimit multietnik në komuna” së bashku marrin pjesë nxënës të cilët përndryshe mësimin e ndjekin në gjuhë të ndryshme mësimore. Aktivitetet e këtilla u mundësojnë nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike që të njoftohen më mirë mes vete dhe të bashkëpunojnë në iniciativa të ndryshme, nën mentorimin e arsimtarëve të tyre, të cilët gjithashtu mbajnë mësim në gjuhë të ndryshme mësimore.

Përmes Projektit, këtë vit seksione të përbashkëta janë mbështetur në 27 shkolla fillore nëpër shtetin tonë, duke përfshirë më shumë se 2700 nxënës. Qëllimi kryesor i Projektit është që të përmirësohet integrimi ndëretnik në arsim përmes zbatimit të aktiviteteve mësimore dhe jashtëmësimore me nxënës të bashkësive të ndryshme etnike dhe në këtë mënyrë të kontribuohet në forcimin e bashkëpunimit multietnik në komuna. Projektin e implementon Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar, në partneritet me institucionet kryesore arsimore dhe nëntë komuna në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ky aktivitet është pjesë e projektit për Përforcimin e bashkëpunimit multietnik në komuna, i financuar nga Fondacioni për Fëmijë Pestalloci (FFP).