Përurimi solemn i sallës së koncerteve në shkollën muzikore “Lazo Micev Rale” në Kavadar

417
Më 21 maj, 2018 – Zëvendësndihmës administratorja e Byrosë së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Greçen Birkël, iu bashkua  nënkolonelit Erik Rajs nga Atasheu ushtarak i SHBA-së, kryetarit të komunës së Kavadarit Mitko Jançev, përfaqësuesit të Projektit të USAID-it për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim dhe përfaqësuesit të komunitetit të biznesit në ceremoninë për përurimin solemn të sallës së re të koncerteve dhe shënimin e përfundimit të renovimit të shkollës së muzikës “Lazo Micev Rale”.

Salla e koncerteve dhe renovimi i shkollës janë financuar nga USAID-i dhe Komanda Evropiane e SHBA-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, komunën e Kavadarit dhe bashkësinë lokale të biznesit.

Jam krenare për këtë partneritet të gjerë midis Komandës Evropiane të SHBA-ve, USAID-it, komunave dhe bashkësive lokale të vendosura për rinovimin e shkollave. Përmes këtij partneriteti, që nga viti 2011, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara ka investuar mbi 1,5 milionë dollarë për rinovimin e 63 shkollave, duke përfshirë edhe shkollën tuaj, duke punuar paralelisht në zhvillimin e kohezionit etnik në Maqedoni“, tha Birkël. “Fëmijët meritojnë një objekt të sigurt dhe komod shkollor dhe mendoj se me këtë bashkëpunim fëmijët e komunës së Kavadarit e fitojnë pikërisht këtë. Ne e vlerësojmë angazhimin dhe kontributin tuaj dhe, si partner, ne jemi në dispozicionin tuaj për të siguruar ndihmën e nevojshme për të nxitur dhe mbajtur respektin për diversitetin që nevojitet në një shoqëri multietnike“.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës Jançev e theksoi rëndësinë e përforcimit të integrimit ndëretnik dhe vlerave qytetare në mesin e të rinjve, me qëllim që të bëhen pjesëmarrës aktivë në bashkësitë e tyre dhe për të ndërtuar miqësi të forta me bashkëmoshatarë nga kombësi të ndryshme.

Këto renovime u financuan përmes Projektit të USAID-it për Arsimin Fillor dhe Projektit të Integrimit Ndëretnik në Arsim, të cilat tani më kanë përfunduar.

Megjithatë, si një vazhdimësi e këtyre aktiviteteve të suksesshme në kuadër të aktivitetit të ri – Projekti për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim, do të përzgjidhen 50 shkolla plotësuese për rinovim bazuar në nevojat dhe arritjet në fushën e integrimit ndëretnik dhe vlerat dhe sjelljet qytetare të demonstruara nivel të shkollës dhe të komunitetit.