Intervistë me Shkodran Ebibi: Dëshira e nxënësve që të mësojnë dhe të shoqërohen së bashku është motivimi im kryesor

54
Realizimi i orëve të përbashkëta me nxënës të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore në kuadër të mësimit të rregullt vazhdon edhe këtë vit shkollor edhe atë në shtatë shkolla të mesme në Qytetin e Shkupit. Përmes këtyre orëve, nxënësit mësojnë të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, të ndërtojnë besim të ndërsjellë dhe të përvetësojnë shkathtësi për jetesë të përbashkët në mjedisin multietnik. Rëndësia e këtyre aktiviteteve është e madhe edhe gjatë pandemisë me KOVID-19.

Veçojmë një histori të suksesshme në realizimin e orëve të përbashkëta edhe në këto kushte kur mësimi realizohet përmes nxënies në distancë për shkak të pandemisë. Lexojeni intervistën me Shkodran Ebibin, mësimdhënës i Sportit dhe aktiviteteve sportive në SHMEJQSH “Arseni Jovkov” dhe mësoni më shumë detaje për realizimin e këtyre orëve përmes nxënies në distancë.


Orë e përbashkëta përmes nxënies në distancë

Situata e sapokrijuar për shkak të krizës me virusin KOVID-19 imponoi nevojën e zbatimit të procesit arsimor përmes nxënies në distancë. Kjo i përfshin edhe orët e përbashkëta me nxënës të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore. Si arrini të përshtateni me situatën dhe të vazhdoni me mbajtjen e orëve të përbashkëta?

Orët e përbashkëta nga lënda Sport dhe aktiviteteve sportive me nxënës të më shumë bashkësive etnike para krizës i mbanim në sallën sportive të shkollës sonë, situata e sapokrijuar e parandaloi mbajtjen e këtillë të orëve. Prandaj ishim të detyruar të gjejmë mënyra për të zhvilluar mësimin në distancë. Meqë orët e përbashkëta ishin interesante për nxënësit, ishte e arsyeshme që të vazhdojmë me këto orë, përmes veglave digjitale. Nxënësit të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore u tubuan dhe së bashku diskutuan për tema që kanë të bëjnë me sportin dhe përvojat e tyre me disa sporte të caktuara. Në orë ligjëronim dy profesorë në gjuhë të ndryshme mësimore dhe përdornim më shumë aplikacione. Përmes tyre komunikuam mes vete me video lidhje, bënim ushtrime, shikonim dhe analizonim gara sportive dhe ngjashëm.

Lënda Sport dhe aktivitete sportive mund të paraqesë sfidë për nxënie në distancë. Me çfarë sfidash u përballët gjatë realizimit të orëve të përbashkëta?

Gjatë orëve të përbashkëta, njoftimi me vlerat e kulturës personale dhe veçoritë e kulturave të tjera dhe zhvillimin e identitetit pozitiv kulturor paraqet njërën prej sfidave më të mëdha. Nxënësit vijnë prej bashkësive të ndryshme dhe mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore, kështu që nevoja për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë është e natyrshme. Ata njoftohen me konceptet për të drejtat e njeriut dhe zbatimin e tyre në situatat e përditshme. Gjithsesi sfidë të madhe paraqet edhe dallimi dhe zvogëlimi i stereotipave dhe paragjykimeve.

Cilat ishin perceptimet e nxënësve dhe përvojat e tyre me orët e përbashkëta në vitin e kaluar shkollor?

Nxënësit janë të kënaqur nga orët e përbashkëta. Para së gjithash ata mësuan të çmojnë dhe të shoqërohen. I barazuan në minimum mosmarrëveshjet që rezultojnë nga stereotipat dhe paragjykimet dhe së bashku e mësonin dhe diskutonin materialin.

Edhe në vitin e ri shkollor 2020/2021 vazhdon realizimi i orëve të përbashkëta në SHMEJQSH “Arseni Jovkov” si edhe në gjashtë shkolla të mesme në Shkup. Cilat janë planet Tuaja për realizimin e mësimit  në vitin e ri shkollor?

Edhe në vitin shkollor që vijon sërish do t’i mbajmë orët bashkërisht, por kësaj radhe sipas mundësisë do të përfshijmë më shumë nxënës. Mësimi sërish fillon në distancë përmes platformës kombëtare për nxënie në distancë. Do të vazhdojmë së bashku në mënyrë që t’i tejkalojmë të gjitha sfidat dhe të mësojmë gjëra të reja me nxënësit tanë në frymën e integrimit ndëretnik.

Çfarë Ju motivon në punën Tuaj? Çfarë do t’u rekomandonit mësimdhënësve të tjerë?

Dëshira e nxënësve që të mësojnë dhe të shoqërohen së bashku është motivimi im kryesor. Ne si mësimdhënës duhet t’i nxisim dhe mbështesim në këtë drejtim.