Iniciativa dhe aktivitete të suksesshme të nxënësve nga seksionet e përbashkëta për integrim ndëretnik

49
Muajt e fundit, nxënësit të cilët marrin pjesë në seksionet e përbashkëta për integrim ndëretnik kanë zhvilluar aftësitë dhe idetë e tyre krijuese, duke zbatuar disa iniciativa dhe aktivitete, në kuadër të projektit “Forcimi i bashkëpunimit multietnik në komunat”, i mbështetur nga Fondacioni i Fëmijëve Pestaloci.

Në SHF “Vëllezërit Ribar” nga fsh. Tabanovc, Kumanovë, vitin e kaluar shkollor u realizua Seksioni ekologjik “Hapa të gjelbër”, që kishte për qëllim të kultivojë dhe zhvillojë aftësitë dhe shkathtësitë krijuese për ngritjen e vetëdijes ekologjike te nxënësit dhe komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Ata i kanë arritur me sukses këto qëllime përmes realizimit të aktiviteteve të shumta. Nxënësit dekoruan në mënyrë estetike oborrin e shkollës dhe vendosën shtëpi – ushqyese për shpendë. Ata shënuan Ditën ndërkombëtare të ushqimit me një aksion humanitar për të mbledhur ushqim të përhershëm, të cilin ata më pas e dhuruan në një familje që më së shumti kishte nevojë. Zbatuan edhe aksion për rregullimin dhe lyerjen e rrethojës së shkollës dhe organizuan Ekokuiz në shkollë, e më pas prezantuan publikisht rezultatet e arritura.

Nxënësit nga SHF “Zhivko Brajkovski” në Butel, vitin e kaluar morën pjesë në Seksionin e matematikës. Kur moti ishte i ngrohtë, ata vizatonin udhëzime për lëvizje dhe lojëra në oborrin e shkollës  të dedikuara për më të vegjlit  me respektimin e protokolleve për mbrojtje. Pas kësaj, aktivitetet vazhduan me mësimin në distancë ku ata punuan në përpilimin e lojërave të ndryshme shoqëruesen matematikore, shënimin e festave, etj. Në mënyrë që të tërheqin interesin e nxënësve, por edhe për të arritur integrimin e plotë në shkollë, mësimdhënësit bënë disa ndryshime në planin dhe në të përveç matematikës, ata përfshin mësimin e alfabetit të shenjave për shkak të integrimit të nxënësve me dëgjim të dëmtuar. Në këtë mënyrë, nxënësit, përveç diturive të përvetësuara nga matematika, u shoqëruan me njëri -tjetrin, duke gjetur mënyra të reja për komunikim dhe mirëkuptim të përmirësuar të të gjithë nxënësve në këtë shkollë.

SHF “Toli Zordumis” nga Kumanova punonte në Seksionin ekologjik. Gjatë vitit shkollor, nxënësit hulumtonin për efektin serë, përpiluan Eko kodeksin e shkollës, mësuan diçka më shumë për shputën e karbonit dhe mund të bënin përllogaritjet në mënyrë të mëvetësishme. Të gjitha këto aktivitete u kryen nga nxënësit në distancë dhe pavarësisht diturive të përvetësuara ata kishin mundësinë të shoqërohen, të punojnë në grupe, të komunikojnë dhe të zhvillojnë miqësi me njëri-tjetrin.

Edhe në SHF “Kërste Petkov Misirkov” nga Radovishi u zbatuan shumë iniciativa interesante. Gjatë vitit shkollor, punonte seksioni nga Arsimi teknik – Modelim, ku nxënësit patën mundësinë të njihen dhe të mësojnë diçka më shumë për modelimin e emrave nga letra, përpunimin e sendeve nga materialet e riciklueshme, bizhuteri nga balta, ngjyrosje të objekteve prej balte, gdhendjen në dru si zeje, çiklizëm deri në një destinacion të caktuar dhe zbatimin e lojërave pa kufij. Disa nga këto aktivitete u realizuan përmes mësimit në distancë, derisa të gjitha të tjerat u realizuan me prani fizike në oborrin e shkollës duke respektuar protokollet e mbrojtjes. Në mënyrë që nxënësit t’i kuptojnë më lehtë teknikat e përpunimit të objekteve nga zeje të ndryshme, atyre iu bashkuan mysafirë të cilët për shumë vite kanë punuar në zejtari të caktuar dhe ua prezantuan punimet dhe teknikat e tyre.

Nxënësit nga bashkësitë e ndryshme etnike vazhdojnë të shoqërohen dhe të marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta përmes të cilave mësojnë gjëra të reja, duke bashkëpunuar së bashku në tema që janë në interesin e tyre.

Ky aktivitet është pjesë e projektit për Përforcimin e bashkëpunimit multietnik në komuna, i mbështetur nga Fondacioni për Fëmijë Pestalloci (FFP).