Filloristët e “Panajot Ginovski” mësuan dhe u shoqëruan në Matkë

532
Nga fundi i tetorit, 2018, 30 nxënës të bashkësive të ndryshme etnike të SHF “Panajot Ginovski” e vizituan  muzeun e EVN, rrëzë digës së Matkës. Qëllimi i aktivitetit ishte nxënësit të njoftohen në mënyrë më të detajuar me paraqitjen e energjisë elektrike në Shkup dhe Maqedoni si edhe me punën e EVN-së.

Nxënësit dhe mësimdhënësit u pritën nga një udhërrëfyes i cili ishte caktuar për ta udhëhequr grupin dhe i informoi pjesëmarrësit për historikun e EVN-së. Aktiviteti filloi me histori të shkurtër për zbulimin e energjisë elektrike në botë dhe për të gjithë njerëzit me ndikim të cilët kanë kontribuar për fillimin dhe zhvillimin e saj. Pas vizitës në pjesën e jashtme të muzeut, vizita vazhdoi në hapësirat e brendshme.

Në katin e parë, nxënësit patën mundësi t’i shohin të gjitha makinat dhe modelet e vjetra të punës të cilat i kanë shfrytëzuar punëtorët e atëhershëm. Gjithashtu, nxënësit mësuan dhe në cilën mënyrë mund të gjenerohet energjia elektrike përmes përdorimit të biçikletës, si edhe vlerës së saj energjetike varësisht kohës së kaluar në krijimin e saj.

Në katin e dytë, udhërrëfyesi i njoftoi pjesëmarrësit me modelet e ndryshme të krijimit të energjisë elektrike. Krahas kësaj ai i njoftoi edhe me aparatet e ndryshme të cilat demonstronin manipulimin e energjisë elektrike si edhe materialet të cilat shërbenin si përçues të saj.

Ky aktivitet është pjesë e seksionit për shkencë në shkollë në kuadër të projektit për Përforcimin e bashkëpunimit multietnik në komuna, i financuar nga Fondacioni për Fëmijë Pestaloci (FFP). Qëllimi kryesor i projektit është ta rrisë integrimin ndëretnik në shoqëri, duke e promovuar multikulturalizmin dhe duke u kyçur në mënyrë aktive nxënësit e përkatësve të ndryshme etnike në aktivitete të ndryshme.